Gjysmë viti pas aksidentit në Laskarcë: familjarë të përvëluar, shumë dyshime dhe pak përgjigje (VIDEO)

Kanë kaluar 6 muaj nga 13 shkurti, data kur Maqedonia e Veriut u trondit nga aksidenti i autobusit që mori 16 jetë, njofton Portalb.mk.

Familjarët e të vdekurve habiten si mund të lejohej kjo neglizhencë ndaj kompanive që kanë mbi supe jetë njerëzish? Pyetjet kyçe ende mbeten pa përgjigje: Çfarë do të ndërmarrin organet për të ndaluar aksidente të tilla, rregullativë të re, autobusë të ri, patrulla më të shpeshta policore?

I ndjeri Zoran Davidovski ishte një ndër magjistrat e paktë të sigurisë në komunikacion në Maqedoninë e Veriut. Si banor i Gostivarit dhe si shef i Sektorit për komunikacion në Qytetin e Shkupit, i ndjeri Davidovski ka udhëtuar për çdo ditë me autobus në relacionin Gostivar – Shkup. Megjithëse të mërkurave ai zakonisht është kthyer më vonë, më 13 shkurt 2019 vendosi të vijë më herët. Por vendimi i tij ishte ogurzeze, autobusi me të cilin udhëtonte u aksidentua 45 kilometra larg shtëpisë së tij, kështu ai u bë njëri nga 16 viktimat e aksidentit të Llaskarcës.

Hyrja e shtëpisë së Zoran Davidovskit
Portalb.mk e vizitoi familjen e tij. Në lagjen e Gostivarit na priti babai i Zoranit – Dragomiri. Në derën kryesore qëndronte afishja që njoftonte se familja ende është në zi. Dera nga brenda u hap nga nëna dhe bashkëshortja, Makra dhe Mirjana, të cilat ishin të veshura në të zeza.

“Me autobus tërë kohën udhëtonte. Zgjohej herët në ora 06:00, në ora 07:00 e kishte autobusin dhe nga puna kthehej pastaj në shtëpi. Çdo ditë kthehej në ora 15 në 18 (17:45), kurse autobusin e kishte diku në ora 16 e gjysmë. Çfarë ndodhi, si ndodhi atë ditë Zoti e di. Nuk mund të gjejmë përgjigje assesi”, rrëfehet babai Dragomiri, ndërkohë që në krahun e djathë i qëndron bashkëshortja të cilët në asnjë moment nuk iu ndalën lotët.

E nxitur nga i vjehrri, bashkëshortja Mirjana kujtoi bisedën e fundit që e pati me Zoranin: “E dinim se do të vjen më vonë atë ditë. 15 minuta në 17 u dëgjova në telefon. Më tha se është në autobus dhe se krejt është në rregull. Atë ditë dëshiroi të vinte më herët, sikur ta nxiste diçka”, rrëfente Mirjana, ndërkaq nëna Makra pëshpëriste “punë e Zotit”.

Siguria në komunikacion nuk ishte vetëm një punë, ajo për Zoranin, siç bënë të ditur familjarët, ishte pasion.

“Tërë, tërë kohën ka mësuar për komunikacion. Ka qenë magjistër, inxhinier për komunikacion. Në shkollën e mesme ka qenë më i miri, në fakultet gjithashtu. Më pas shumë e ka interesuar puna. Ka sjellë lëndë edhe në shtëpi. I lexonte, i shihte. Vazhdimisht shihte edhe ligjet”, tregonin nëna dhe babai i të ndjerit.

Foto: Borçe Popovski, KolektifFoto: Borçe Popovski, Kolektif
Foto: Borçe Popovski, Kolektif
Familjarët nuk arrijnë të kuptojnë: Si mund të rrokulliset një autobus në atë mënyrë?

“Ja i bëj 76 vjet, unë nuk mbaj mend të ketë pasur aksident kaq të madh në Maqedoni dhe as në Jugosllavi. Shumë të rinj shkuan, prej tyre fëmijë të vetëm”, tha babai Dragomiri.

Për Dragomirin si çështje problematike paraqitet menaxhimi i stacioneve të kontrollit teknik dhe të transportit nga i njëjti pronar, kjo sepse sipas tij krijon kushte për manipulim të “tako-grafit” (pajisje që e mat shpejtësinë e autobusit).

“Si është e mundur të lejohet që të ketë edhe kontroll teknik edhe transport. Këto dy gjëra nuk duhet të shkojnë bashkë. Se dihet se aty do të manipulohet. Kompanitë nuk jam që mos të transportojnë, por së paku të mos kenë edhe stacion të kontrollit teknike dhe transportues. Për mua nuk është e qartë edhe si timoni nuk ka punuar dhe frenimi nuk ka mundur të bëhet. Kjo nuk duhet të ndodh së paku me autobusë që transportojnë 50-60 udhëtarë. Kjo gjë nuk ka ndodhur asnjëherë”, tha Dragomiri i cili këtë pikëpamje e kishte edhe nga përvoja e tij si shofer që në kohën e ish – Jugosllavisë, kur kishte realizuar transport të udhëtarëve në nivel shtetëror, por ndonjëherë edhe për në Greqi.

Jeta e Zoranit ka qenë e lidhur ngushtë me sigurinë në komunikacion, ndërsa familjarët treguan edhe një anë tjetër të tij. Merrej me sport dhe kurse tërë vëmendjen e kishte te dy fëmijët e mitur dhe familja.

“Jo që është i imi, asi njeriu të gjendet është vështirë”, rrëfente babai, ndërkaq bashkëshortja shtoi: “Të parën që e kishte, ishte familja. Fëmijët…”.

Siç bënë të ditur familjarët, autopsia u ka treguar se shkak i vdekjes së Zoranit ishte ngufatja. Udhëtarët rreth tij kishin mbijetuar.

Në të kthyer nga Gostivari, u ndalëm në vendin e ngjarjes në Llaskarcë

Gjysmë vit më vonë, në vendin e aksidentit nuk ka shenja që të kujtojnë personat e vdekur dhe të lënduarit. Gardhi i prishur është ndërruar, ndërsa livadhin ku ka rënë autobusi e ka mbuluar bari.

Procedura gjyqësore për gjashtë të paditurit nuk ka filluar ende dhe pritet të fillojë së shpejti

“Akuza për aktakuzën KO 778/19 lidhur me aksidentin e komunikacionit më 13 shkurt të vitit 2019-të që ka ndodhur në fshatin Llaskarcë e informojmë opinionin se Këshilli për vlerësim të aktakuzës pas shqyrtimit dhe vlerësimit të fakteve dhe dëshmive, ka miratuar vendim që ta miratojë aktakuzën në tërësi”, informojnë nga Gjykata.

Pas vlerësimit të aktakuzës, informojnë nga Gjykata Penale, është formuar lëndë penale-juridike me numër 1407/19 e cila në pajtim me sistemin AKMIS do të ndahen për veprim të mëtutjeshëm, ndërkaq pasi që të caktohet termini për debatin kryesor, palët dhe opinioni do të informohen plotësisht.

Ekspertët pyesin se çfarë po ndërmerr shteti për të parandaluar mos të përsëritet ndonjë katastrofë e tillë në të ardhmen?!

A po ndërmerr shteti masa për të zvogëluar moshën mesatare të autobusëve që qarkullojnë në të gjithë vendin?
A ka filluar procedura për ndryshimin e rregullores, me të cilën do të përjashtohet mundësia që transportuesit të jenë njëkohësisht pronarë edhe të stacioneve për kontroll teknik të automjeteve?
A do të kenë patrullat e policisë dhe MPB-së autorizime më të mëdha gjatë kontrollit të rregullsisë teknike të autobusëve? portalb.mk

evn