Andre Silva e ka shënuar golin e fitores në ndeshjen, ku Milani arriti ta mposhtë Barcelonën në kuadër të International Champions Cup mbrëmë.

Riqui Puig e humbi shansin që t’ja fitojë ndeshjen Barçës, teksa në kundërsulm, Franck Kessie e gjeti mjaft mirë Silvan, i cili e shënoi golin e fitores në minutat shtesë.

Në ndeshjen e zhvilluar në ”Levi’s Stadium”, Barça ka qenë dukshëm skuadë më e mirë, megjithatë në fund fitorja i takoi Milanit.

Skuadra e Gennaro Gattussos rikthehet në Itali me fitoren e parë, pas humbjes në penallti nga Man Unitedi dhe humbjes nga Tottenhami.

Ndërsa, Barcelona rikthehet në Kataluni pasi dështoi ta fitojë një ndeshje në kohë të rregullt. Barça e mposhti Tottenhamin në penallti, teksa humbi nga Roma.

Megjithatë, trajneri, Ernesto Valverde ka dhënë nota pozitive për lojtarët e akademisë si dhe për përforcimet e reja si Arthur, Clement Lenglet dhe Malcom.