Gratë festojnë 8 Marsin, barazia akoma është vetëm deklaruese

Refuzimi i të drejtave të grave, diskriminimi dhe dhuna janë disa nga çështjet me të cilat gratë përballen ende edhe sot. Sot ato festojnë 8 Marsin si një ditë beteje për barazi ekonomike, politike dhe sociale me burrat, por në praktikë numrat janë të tmerrshëm dhe tregojnë të kundërtën.

Marketing

Sot, numri i grave në pozicionet drejtuese është ende i ulët dhe ato nuk përfaqësohen siç duhet në strukturat vendimmarrëse. Për më tepër, ekziston ende një hendek pagash midis burrave dhe grave, gjegjësisht gratë paguhen më pak se burrat për të njëjtën punë.

Të dhënat e publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikave në botimin “Gratë dhe Burrat në Maqedoninë e Veriut” tregojnë se punësimi karakterizohet nga një strukturë gjinore shumë e pafavorshme, pra niveli i punësimit për gratë në vitin 2017 është 34,6 dhe është dukshëm më i ulët se ai i burrave i cili arrin 53,6.

“Kjo strukturë nuk ka ndryshuar për një kohë të gjatë, para së gjithash, për shkak të kushteve të paqëndrueshme ekonomike dhe sociale në vend dhe mospërputhjes së profileve të disponueshme dhe të nevojshme të tregut të punës”, thonë nga Enti i Statistikave.

Shkalla e aktivitetit të grave është gjithashtu më e ulët dhe arrin në 44.3, ndërsa është dukshëm më e lartë tek burrat – 69.3.

Gratë ende rrallë vendosin të fillojnë një biznes dhe shpesh e bëjnë këtë si domosdoshmëri. Kështu që, numri i grave sipërmarrëse është rreth 30 për qind dhe është kryesisht në sektorin e shërbimeve. Ato janë të pranishme në ndërmarrjet mikro dhe të vogla me qarkullim dhe fitim të ulët. Arsyeja për këtë është jomundësia për të arritur një ekuilibër midis jetës profesionale dhe private dhe strukturës shoqërore të shtetit, d.m.th. të mos kesh kushte të mjaftueshme për përkujdesje sociale për fëmijët dhe të moshuarit. Nga ana tjetër, mentaliteti në vendin tonë është akoma i tillë që burrat, për fat të keq, vetëm japin ndihmesë në punët shtëpiake por nuk kujdesen së bashku me gratë me familjet e tyre.

“Qëllimi i grave që fillojnë një biznes është shpesh të bëjnë ekuilibrin ekonomik në familje, por kurrë të mos fillojnë biznese të mëdha. Ato e kanë më të rëndësishme që të kenë një ekuilibër midis familjes dhe biznesit sesa të jenë 100 për qind të përfshira në biznes. Këtu ka ndikim struktura shoqërore e shtetit, gjegjësisht gruaja, edhe të dëshirojë të jetë 100 për qind e përkushtuar ndaj biznesit, nuk ka kushte, respektivisht nuk ka përkujdesje sociale për fëmijët ose të moshuarit. Këto janë probleme që nuk lejojnë që ajo të jetë plotësisht e përkushtuar ndaj biznesit”, thotë Valentina Disoska, kryetare e Shoqatës së Grave të Biznesit.

Nga ana tjetër, statistikat tregojnë se gratë janë më të arsimuar me arsim të lartë se burrat. Kështu, gjithnjë e më shumë gra regjistrohen në studime universitare dhe të ciklit të dytë dhe të tretë. Ato janë kryesisht në shkencat shoqërore, humane dhe shkencat mjekësore në krahasim me burrat që preferojnë të studiojnë shkencat tekniko-teknologjike. Situata është e ngjashme edhe në arsimin e mesëm, respektivisht vajzat më tepër dëshirojnë të regjistrohen në gjimnaze ndërsa meshkujt në shkollat profesionale.

Nuk ka ndryshime të mëdha lidhur me përqindjen e grave dhe burrave në popullsinë e përgjithshme. Kështu që, pjesëmarrja është pothuajse e barabartë ose 49.9 për qind janë gra

dhe 50.1 për qind janë burra. Nga ana tjetër, megjithatë, gratë kanë jetëgjatësi më tepër se burrat ose, me fjalë të tjera, jetojnë 3,8 vjet më gjatë se burrat.

Edhe pse shifrat mbi marrëdhëniet midis burrave dhe grave në shoqëri nuk kanë ndryshuar në mënyrë drastike, përsëri gratë sot janë në qendër të vëmendjes. Për nder të tyre janë paralajmëruar disa evente.

Për të katërtin vit me radhë, Platforma e Barazisë së Grave dhe aktivistët për të drejtat e grave po organizojnë “Marshin për të Drejtat e Grave”. Këtë vit, ky marsh do t’i kushtohet viktimave të dhunës me bazë gjinore dhe raportohet se do të marshohet nën moton “Ti nuk je fajtore!”

Sot, pothuajse çdo grua do të marrë lule ose dhurata nga të dashurit e saj.

Historia e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Grave është e lidhur me emrat e Klara Cetkin dhe Rosa Luksenburg. Dita e parë e grave është shënuar më 28 shkurt 1909 në SHBA me iniciativën e Partisë Socialiste të Amerikës.

Konferenca e Parë Ndërkombëtare e Grave u mbajt në Kopenhagë në vitin 1910 dhe u vendos që të festohej Dita Ndërkombëtare e Grave, por nuk u përcaktua një datë e saktë. Një vit më pas, më 19 mars 1911, kjo festë u festua për herë të parë nga më shumë se një milion njerëz në Austri, Danimarkë, Gjermani dhe në Zvicër.

Marketing