I dërguari i posaçëm i presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, pas takimeve që mbajti në Prishtinë, ka vizituar edhe Beogradin.Në takim me presidentin serb, Aleksander Vuçiq, Grenell tha se presidenti Trump është krenar me përfshirjen e SHBA-ve në ekonominë serbe.
“Ju sjelli përshëndetjet e presidentit Trump. Po ashtu, dua ta përshëndes kryeministren tuaj, Ana, që e kam mikesh të mirë dhe e falënderoj për mbështetjen e saj. Presidenti Trump është shumë krenar me ekonominë amerikane, po ashtu edhe përfshirjen tonë në Serbi”, tha ai.

Grenell tutje tha se në këtë regjion ka ardhur që t’i dalë në ndihmë Kosovës dhe Serbisë në përpjekjet e tyre për progres.

“Unë kam ardhur këtu për t’i dalë në ndihmë Kosovës dhe Serbisë që populli i tyre ta sheh të ardhmen në vendin e tyre. Kam biseduar me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe me politikanët që janë duke u munduar të formojnë qeverinë e re”, tha tutje ai.

Ai foli edhe për marrëveshjen për linjën e fluturimeve, teksa ripërsëriti se taksa duhet të hiqet.

“Ndihem i kënaqur me marrëveshjen për linjën e fluturimeve. Në Kosovë e kam ndjerë një energji të mirë, taksa duhet të hiqet sepse është e papranueshme”, tha ai.

Grenell nuk la pa përmendur edhe fushatën e Serbisë për tërheqjen e njohjeve të Kosovës, për të cilën tha se duhet të ndalet, ndërkaq që më heqjen e taksës normalizohet edhe lëvizja e lirë

“Kurse, sa i përket fushatës së Serbisë për tërheqjen e njohjeve të Kosovës ajo po ashtu duhet të ndalet. Heqja e takës do ta normalizojë lëvizjen e lirë të mallrave. Dua të dëgjoj se si do të lëvizim përpara por të gjithë pajtohemi se taksa duhet të hiqet.”, tha ai.

Në këtë formë, Grenell tha po ashtu se ai do ta përcjell energjinë që mbizotëron në SHBA, dhe çështjet politike duhet të lihen anash për t’u fokusuar tek ekonomia dhe avancimi.

“Unë jam i sigurt se jemi duke shkuar në atë drejtim. Nuk më takon mua të them nëse është e drejtë diçka ose jo, unë jam këtu për t’i lëvizur palët dhe të përcjell energjinë që e kemi në SHBA që çështjet politike t’i lemë anash dhe të përqendrohemi tek ekonomia dhe avancimi”, tha ai.

E Grenell në këtë takim foli edhe për marrëveshje për linjë të hekurudhave mes Kosovës dhe Serbisë, për të cilën tha se ka një marrëveshje në parim.

“Faleminderit për idenë e re të hekurudhës, ne kemi një marrëveshje në parim” tha ai.