Grenelli i përgjigjet zyrtares evropiane: Bëjeni punën tuaj, hiqni vizat Kosovës

I dërguari i posaçëm i administratës Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, i është kundërpërgjigjur Raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, që i cilësoi përralla deklarimet e Grenellit se ideja për shkëmbim territoresh Kosovë-Serbi ishte e ish-këshilltarit të Trumpit, John Bolton, dhe jo e vetë presidentit.

Marketing

Von Cramon pas postimit kritikues kishte vazhduar polemikat me përdorues të Twitterit, me njërin nga postimet duke vënë në pikëpyetje “rezultatet për marrëveshjet që Grenelli kishte arritur mes dy vendeve në të kaluarën, duke theksuar atë për linjat ajrore dhe hekurudhore”.

Tani Grenelli, duke iu përgjigjur Cramonit, ka thënë se në vend se të ketë kritika, ajo duhet të merret me çështjet që i takojnë, duke ia përmendur liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Viola, në vend se të kritikoni çdo gjë që Administrata Trump bën për të normalizuar ekonomitë e Kosovës dhe Serbisë, përse nuk përqendroheni në të vetmen gjë që është dashur ta bëni: liberalizimin për Kosovën. Jeni ankuar për të tjerët qe 20 vjet. Bëni pjesën tuaj!”, ka qenë përgjigja e Grenellit.

E shpejtë ka qenë përgjigja e Von Cramonit. Ajo ka thënë se nuk është punë e Parlamentit Evropian të vendosë në fund për liberalizimin, teksa sërish ka kërkuar nga Grenelli të tregojë rezultatet e marrëveshjeve të arritura mes Kosovës e Serbisë, të ndërmjetësuara nga ai.

Viola Von Cramon

“Sigurisht. Por siç e dini edhe ju, fatkeqësisht është në duart e Këshillit të BE-së dhe jo në të Parlamentit Evropian që në fund të vendosë për liberalizimin e vizave për Kosovën. Andaj ata duhet të japin dritë ne gjelbër. Sidoqoftë, çfarë doli nga marrëveshja për aviacion dhe hekurudha mes Kosovës dhe Serbisë?” ka shkruar Von Cramon në përgjigjen ndaj Grenellit./Koha.net

Marketing