Greqi, Marrëveshja e Prespës votohet të enjten

Të mërkurën në orën 10 pritet të fillojë debati në Parlamentin grek për ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës, ndërsa akti i votimit pritet të ndodhë mbrëmjen e së enjtes. Ky vendim erdhi pas takimit që kryetari i Kuvendit grek, Nikos Vucis, mbajti me nënkryetarët e tij gjatë ditës së sotme.

Marketing

Në takimin e sotëm gjithashtu u vendos që seanca plenare të nis të mërkurën në orën 10, e kështu duke vazhduar edhe gjatë të enjtes, sipas terminit të njëjtë, ndërsa kohëzgjatja e debatit do të varet nga numri i deputetëve që do të paraqiten për të marrë fjalën.

Ndërkohë, edhe Komisioni për Mbrojtje Nacionale dhe Punë të Jashtme në Kuvendin e Greqisë u mblodh pasditen e sotme, ku ka shqyrtuar propozim-ligjin për ratifikimin dhe hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Prespës.

Kujtojmë që mbrëmjen e 11 janarit Kuvendi i Maqedonisë mbaroi procedurat për miratimin e ndryshimeve kushtetuese dhe juridike për hyrje në fuqi të Marrëveshjes së Prespë, ku me miratimin e katër amendamenteve, shteti do të quhet “Maqedonia e Veriut”. Sipas dispozitave që burojnë nga Marrëveshja e Prespës, ratifikimi duhet të vazhdojë edhe në Republikën e Greqisë.

Pasi që Greqia ta ratifikojë Marrëveshjen e Prespës, NATO-ja do të mundet ta aktivizojë protokollin për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut si vend të 30.

Pas nënshkrimit të këtij dokumenti do të fillojë procesi i ratifikimit të saj në 29 parlamentet e vendeve anëtare, në mesin e të cilave edhe në Parlamentin grek.

Gjatë ditës së sotme edhe ndërmjetësuesi special i Kombeve të Bashkuara në kontestin e emrit, Metju Nimic, ftoi Greqinë ta ratifikojë Marrëveshjen e Prespës, pasi që pala e Maqedonisë i plotësoi të gjitha obligimet e saj.

Marketing