Grozdanova: RMV, e përgatitur për vaksinim

Vendi është i përgatitur për fillimin e imunizimit, thotë kryetarja e programit për imunizim, Aleksandra Grozdanova. Njëherit ajo bën të ditur se në koordinim ndërinstitucional është përgatitur edhe plani nacional për vaksinim.

Marketing

“Sistemin e kemi përgatitur në atë mënyrë që të gjitha institucionet e përfshira në këtë proces në të gjitha nivelet, duke filluar nga Qeveria, Ministria e Shëndetësisë, Agjencia e Barnave “Mallmed”, doganat, shtëpitë e shëndetit, ku do të realizohet vaksinimi janë koordinuar. Në të gjitha këto institucione janë përgatitur grupe punuese të fokusuara vetëm në vaksinimin anti Kovid.”,- deklaroi kryetarja e Programit për Imunizim, Aleksandra Grozdanova.

Një pjesë e konsiderueshme e personave të prekur nga virusi Korona në vend janë nga varianti i virusit britanik, por Grozdanova thotë se vaksinat janë efikase edhe për variantet e reja të virusit.

“Pjesa më e madhe e vaksinave janë efikase ndaj mutacionit të virusit, por pritet nga prodhuesit t’i ndjekin ndryshimet e virusit dhe ndoshta kapacitetet e ardhshme të bëhet edhe modifikimi i vaksinave.”,- u shpreh Grozdanova.

Nëpërmjet sistemit “Termini im” do të bëhet thirrja e qytetarëve për vaksinim. Ndërsa qytetarët e interesuar mund të paraqiten në ueb faqen vakcinacija.mk, ndërsa për versionin në gjuhën shqipe duhet të shkruhet edhe alb.

Autoritetet shëndetësore kanë bërë të ditur se vaksinimi do të nisë me personelin shëndetësor në qendrat Kovid në vend, ndërsa deri më tani rreth 4.000 punonjës shëndetësorë janë paraqitur për t’u vaksinuar.

Pas pranimit të dozës së dytë të vaksinimit, të gjithë të vaksinuarit do të pajisen me certifikatë për vaksinim. (Gyltene Sinani, TVM2)

 

Marketing