GRUBI: Bashkësia nënkupton barazi (FOTO)

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, z. Artan Grubi sot morri pjesë në panel diskutimin me temë “Të drejtat e pjesëtarëve të komuniteteve – gjendja, tendencat dhe sfidat” në organizim të Agjencisë për Zbatimin e të Drejtave të Komuniteteve.

Marketing

Me këtë rast z. Grubi para të pranishmëve tha se procesi i realizimit të të drejtave të bashkësive etnike, integrimi në institucionet shtetërore dhe përmirësimi i përgjithshëm i statusit të tyre është permanent edhe në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Ky është është fjalimi i plotë i z. Grubi:

Procesi i realizimit të të drejtave të bashkësive etnike, integrimi në institucionet shtetërore dhe përmirësimi i përgjithshëm i statusit të tyre është permanent edhe në vendin tonë.

Por, siç do thoshte akademik Esat Stavilevci: “ Të jetosh bashkërisht, do të thotë të jetosh në mënyrë të barabartë. Sepse vetëm të barabartët mund të jetojnë bashkërisht”.

Aq sa shteti është lojal ndaj komuniteteve, po aq lojale janë komunitetet ndaj shtetit.

Kjo baraspeshë kërkon barazi të plotë.

Barazia në të gjitha sferat e jetës, kjo është baza mbi të cilën ne duhet të ndërtojmë politikat moderne të së ardhmes. Ka të bëjë me të drejtat fundamentale të njeriut, ka të bëjë me integrimin.

Në Republikën e Maqedonisë së Veriut ekzistojnë mekanizma Kushtetuese dhe Ligjore për mbrojtjen e të drejtave të bashkësive. Gjithashtu kemi krijuar edhe institucione shtetërore siç janë Avokati i popullit, Komisioni për Mbrojtje nga Diskriminimi, Komiteti për Marrëdhënie në mes të Bashkësive dhe natyrisht edhe vet Agjencia për realizimin e të Drejtave të Bashkësive Etnike, mysafirë të të cilit jemi sot.

Si institucion përgjegjës për marrëdhëniet midis bashkësive dua t’i them disa fjali për konceptin strategjik mbi të cilin e bazojmë funksionimin tonë. Do i përmendi shkurtimisht çështjet kryesore.

Për ne, Marrëveshja Kornizë e Ohrit është momenti i kthesës së realizimit të të drejtave të bashkësive etnike, sepse krijoi mekanizmat praktike të realizimit të tyre.

Parimi i Badenterit ishte zgjidhja konsensuale që kishte munguar që nga Pavarësia e vendit sepse mbivotimi ishte pengesa kryesore që pengonte procesin dhe margjinalizonte pjesëmarrjen në vendimmarrje.

Rrjedhimisht, u krijuan institucione të cilat krijuan mundësi për të gjithë, u ndryshua kushtetuta, u themelua Sekretariati për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit i cili rishtazi u avancua edhe në Ministri në mënyrë që të paraqesë shtëpi për të gjitha komunitetet dhe të kthehet në gardian të të drejtave të tyre.

Si Ministri për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, ne punojmë në disa fusha:

Avansimi i përfaqësimit të drejtë dhe adekuat – duke i dhënë tashmë elementet e përfaqësimit vertikal. Sepse përfaqësimi nuk është i plotë pa vendosjen edhe në pozicione udhëheqëse të përfaqësueseve të bashkësive etnike. Pa integrim në jetën publike të vendit, në krijimin e politikave në të gjitha sferat, nuk mund të realizohen të drejtat e tyre.

Përdorimi i gjuhëve – përveç ndryshimeve Ligjore dhe formimit të institucioneve siç është Agjencia për zbatimin e gjuhëve dhe Inspektoratit të gjuhëve, ne punojmë në krijimin e një plani aksional 3 vjeçar i cili do të përmbajë masa dhe aktivitete që ky proces të jetë edhe më i suksesshëm. Sukseset e vitit të kaluar janë evidente, sidomos në zbatimin e gjuhës në  punën e Qeverisë.

Përgatitjen e analizave të ndryshme për Qeverinë – për temat që i tangojnë bashkësitë etnike ne përgatisim materiale, analiza, japim mendime për propozim Ligje, propozojmë Ligje që avansojnë të drejtat e bashkësive etnike.

Marrëdhëniet ndërmjet bashkësive etnike – në vizionin tonë si Ministri e re , kjo është tema e së ardhmes për të cilën do të angazhohemi fuqishëm, sepse kjo është ajo në të cilën ne besojmë.

Përmirësimi i marrëdhënieve ndëretnike është tregues i ngritjes shoqërore dhe i demokratizimit të vendit. Ajo është pasqyra më e mirë e suksesit tonë.

Natyrisht që ka edhe shumë aspekte tjera, por pa u futur në detaje, për mos të ju marrë kohë, dua të theksoj që ne do të vazhdojmë të punojmë në gjetjen e zgjidhjeve pragmatike e të qëndrueshme.

Kjo Ministri është adresa ku të gjithë pjesëtarët e bashkësive etnike mund të drejtohen dhe janë shumë të mirëseardhur që së bashku të punojmë për barazinë.

Jemi te hapur për ide dhe qasje të reja. Jemi të hapur për bashkëpunim e bashkëveprim, me të gjitha palët e interesuara sepse Bashkë jemi më të fortë!

Ju uroj shëndet e mos harroni të respektoni masat për mbrojtje nga pandemia!