Grubi: BDI përkrahë rifreskimin e ekzekutivit

BDI është e gatshme që të marrë pjesë dhe të përkrah rifreskimin e radhëve në ekzekutiv, por është kundër përdorimit të termit “fshesë”. Deputeti, Artan Grubi, është kundër përdorimit të termeve të tilla, si fshesa, për personat zyrtarë të cilët kanë ushtruar detyrë publike, pasi ata nuk mund të konsiderohen si mbeturina politike.

Marketing

“Fshesa apo pastrimi nuk është terminologji apo mënyrë e veprimit të Bashkimit Demokratik për Integrim e as e zotit Ali Ahmeti. Bëhet fjalë për bashkëpunëtorët tanë, për kolegët tanë dhe bashkëpartiakë tanë të cilët nuk janë pjesë e mbeturinave për t’u fshirë, por janë kolegët tanë që i çmojmë dhe i vlerësojmë.

Ne jemi të hapur për ta rifreskuar pjesëmarrjen tonë në pushtetin ekzekutiv, edhe pse më duhet të potencoj se të arriturat e kësaj qeverie janë të jashtëzakonshme për arsye se janë zbatuar gati të gjitha pikat e programit tonë politik, që pak a shumë në vija të trasha rrumbullakojnë premtimet tona para elektoratit shqiptar”,- theksoi deputeti i BDI-së, Artan Grubi.

Ndërsa nga VMRO-DPMNE kanë kërkuar nga kryeministri Zaev që “fshesa” e tij të fillojë që nga deputeti i LSDM-së, Pavle Bogoevski.

“Bogoevski pranoi se ilegalisht ka blerë substanca narkotike dhe ka shkelur ligjin. Ashtu siç dëgjuam nga incizimi, personi anonim, Bogoevski, ka blerë kokainë, andaj pyes vallë a ka ai legjitimitet si deputet të vendos në emër të popullit. Bogoevski duhet të japë përgjegjësi nga e ka bërë blerjen, a e ka shitur drogën dhe prej sa kohësh është përdorues i substancave narkotike. Që mos të ketë arsyetim se i mungon fshesa, këtë po ia lëmë para Parlamentit që ta fshinë Bogoevskin nga shtëpia ligjvënëse”,- tha deputetja e VMRO-DPMNE-së, Dafina Stojanovska.

Nga LSDM kundërpërgjigjen se duhet të ndiqen penalisht përgjuesit ilegalë, ndërsa mbetet në ndërgjegjen e deputetit Bogoevski nëse dëshiron të tërhiqet.

“Presim që të gjitha institucionet kompetente të veprojnë dhe të zgjidhin rastin, veçanërisht në lidhje me regjistrimin dhe transmetimin e paautorizuar. Sa i përket aspekteve morale, ato janë në ndërgjegjen dhe përgjegjësinë personale të secilit deputet. Ligjet vlejnë njëjtë për të gjithë”,-shprehen nga LSDM.

Fshesa e Zaevit do të qartësohet pas takimit të cilin pritet ta realizojë kryeministri me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti, por edhe me liderët e partive tjera të koalicionit.

Marketing