Grubi dhe Dimkov, për selektimin e të punësuarve të ASK-së (Video)

Trajço Dimkov dhe Artan Grubi janë dy deputetët të cilët u përzgjodhen si anëtarë të komisionit për selektimin e të punësuarve të Agjencisë për Siguri kombëtare. Deputetët do të kenë vetëm rol vëzhgues mbi procesin e punësimit. Anëtarët e tjerë në komisionin për selektimin e të punësuarve janë nga radhët e MPB-së dhe Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim. Komisionet do të duhet të kompletojnë kuadrin deri më 20 gusht kurse ASK-ja do të fillojë me punë në shtator. Drejtori i ASK-së, Viktor Dimovski deklaroi se në rrjedhë është edhe procedura e zgjedhjes së zëvendësit të tij dhe sigurimit të hapësirave të reja.

Marketing

“Ndodhemi në vetë fillimin e punës së Agjencisë. Mund të njoftoj gatishmëri për transparencë ndaj mediave, për transparencë në punë. Se si do të rrjedhin përgatitjet do t’ju mbajmë të informuar. Punohet në përzgjedhjet e hapësirave. Atë që mund të them është se Agjencia do të ndodhet jashtë hapësirave të Ministrisë së Punëve të Brendshme”, tha Viktor Dimovski, drejtor i Agjencisë për Siguri Kombëtare.

ASK-ja do të ketë nevojë për më pak të punësuar nga sa ka pasur Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim. Të punësuarit që nuk do t’i kalojnë filtrat e selektimit do të shpërndahen në MPB ose në institucione të tjera. ASK-ja u formua si rrjedhojë e procesit të reformave në shërbimet e sigurisë për të zëvendësuar Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim.