Grubi dhe Halimaj: Mbledhja e përbashkët e të dy qeverive do të mbahet me 25 janar 2021

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për sistem politik dhe
marrëdhënie ndërmjet bashkësive, Artan Grubi realizoi takim pune me
homologen e tij nga Republika e Kosovës, zëvendëskryeministren znj.
Albulena Balaj Halimaj.

Marketing

Zëvendëskryeministri i parë Grubi gjatë konferencës për shtyp tha se me
kolegen e tij Balaj-Halimaj kanë diskutuar për mbledhjen e përbashkët
ndërqeveritare midis dy vendeve tona që do të mbahet me 25 janar të
vitit të ardhshëm.

“Diskutuam për propozim marrëveshjet të cilat i kanë propozuar
ministritë e dy qeverive tona dhe janë të shumta në numër dhe të cilat
gjithsesi se duhet të presin dhe dakordim final midis grupeve teknike
dhe atyre politike që në mënyrë solemne me 25 janar të vitit të ardhshëm
të nënshkruhen nga ministrat dhe të solemnizohen në mbledhjen e
përbashkët të qeverive tona që do të mbahet në Shkup”, deklaroi Grubi.

Grubi gjithashku ka informuar se me homologen e Kosovës znj. Albulena
Balaj Halimaj kanë diskutuar edhe për mbajtjen e mbledhjeve të grupeve
teknike me qëllim që brenda muajit dhjetor të përfundohen të gjitha
tekstet e marrëveshjeve të cilat do të duhet të nënshkruhen.

Ndërkohë zëvendëskryeministrja e Qeverisë së Republikës së Kosovës znj.
Albulena Balaj Halimaj gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, i tha
Grubit se ka kënaqësinë të sheh një qeveri e cila ka vullnetin e mirë
për të bashkëpunuar me Republikën e Kosovës, duke theksuar se edhe pala
kosovare është tejet e interesuar që të nënshkruaj marrëveshje të cilat
janë në interes të vendeve tona por dhe të qytetarëve tanë.

“Deri më tani janë rreth 20 marrëveshje të cilat pritet të nënshkruhen e
për të cilat do të diskutojë edhe niveli i ekspertëve, niveli teknik
pastaj edhe vullneti politik i joni. Ka shumë marrëveshje që janë
nënshkruar më herët me Republikën e Maqedonisë së Veriut e të cilat kanë
qenë shumë të suksesshme. Ajo që vlen të theksohet, në këtë mbledhje të
dy qeverive pikë e rëndësishme është nënshkrimi i marrëveshjes për pikat
kufitare që do të bëhen One Stop Shop”, është shrehur Balaj Halimaj.

Të dy zëvendëskryeministrat, z. Grubi dhe znj. Balaj Halimaj vlerësojnë
se Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Kosovës kanë dhe do
të vazhdojnë të mbajnë marrëdhënie të mira dypalëshe dhe që synim i të
dyja vendeve është integrimin në Bashkimin Evropian.

Marketing