Grubi në emër të Qeverisë firmosi memorandumin e mirëkuptimit me kompaninë Bechtel për Korridorin 8

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, Artan Grubi sot në emër të Qeverisë ka firmosur memorandumin e mirëkuptimit me kompaninë Bechtel Enka për ndërtimin e korridorit 8 dhe 10D.

Marketing

Grubi me këtë rast ka thënë se nënshkrimi i këtij memorandumi është një lajm i madh, një lajm që ka të bëjë drejt për drejt me cilësinë e jetës së qytetarëve tanë por edhe ekonomisë së vendit.

“Korridori 8 përfaqëson mundësi të mirë për Republikën e Maqedonisë së Veriut, qoftë nga pikëpamja politike pasi që ai do të bëjë të mundur që vendi të marrë peshë të re gjeopolitike si një urë lidhëse mes vendeve të Ballkanit. Ky projekt do të kalojë nëpër Tetovë, përmes Gostivarit, Kërçovës, Trebenishtës në Strugë e deri në Qafë Thanë”, ka deklaruar Grubi.

Sipas zëvendëskryeministrit të parë me këtë memorandum mirëkuptimi parashikohet ristrukturimi i infrastrukturës ekzistuese por edhe ndërtime të reja.

“Korridori 8, është një nga dhjetë korridoret trans-evropiane të cilat janë paramenduar që të lehtësojnë shkëmbimin e mallrave dhe njerëzve midis vendeve të Bashkimit Evropian, shteteve të Ballkanit që kanë dalje në Detin e Zi dhe Detin Kaspik dhe shteteve të Azisë Qendrore. Rëndësia e korridorit 8 lidhet ngushtë me rëndësinë e madhe që ka nga pikëpamja energjetike. Ai do të bën të mundur që përmes Detit Mesdhe të bëhen të kapshme burime të mëdha energjetike të Kaspikut. Duke pasur parasysh këtë fakt, rëndësia e këtij korridori është jetike për Republikën e Maqedonisë së Veriut në veçanti për ekonominë e vendit pasi që u mundëson kompanive qasje në tregjet evropiane”, është shprehur Grubi.

https://www.facebook.com/VladaMK/videos/888112742031948

Grubi gjithashtu ka thënë se me ndërtimin e Korridorit 8, qytetarët tanë që nga Qafë Thana e deri në Bllacë me Republikën e Kosovës apo edhe me kufijtë tjerë do të ngasin makinat e tyre nëpër një autostradë moderne, kurse njëherësh po dëshmojmë se e ardhmja ekonomike që ofron Korridori 8 si një peisazh i ri që po shfaqet në Ballkan, do të dëshmojë se si historia më e re e Evropës Juglindore do të kalojë përmes Shkupit.