Grubi në Prishtinë, takoi zv/kryeministren Albulena Balaj-Halimaj

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për sistem politik dhe
marrëdhënie ndërmjet bashkësive z. Artan Grubi sot në Prishtinë ka
realizuar një takim pune me zëvendëskryeministren e Republikës së
Kosovës, znj. Albulena Balaj-Halimaj.

Marketing

Në këtë takim u bisedua për mbajtjen e mbledhjes së përbashkët midis dy
qeverive, asaj të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, ku ty dy
zëvendëskryeministrat Grubi dhe Balaj Halimaj morën përsipër që këtë
mbledhje ta realizojnë sa më shpejtë që është e mundur, pasi që ka shumë
çështje për të diskutuar dhe shumë marrëveshje për të nënshkruar.

Grubi dhe Balaj gjithashtu diskutuan edhe për interkonekcionin me gaz të
Republikës së Kosovës, proces ky i cili duhet të bëhet përmes Maqedonisë
së Veriut.

Zëvendëskryeministri i parë, z. Artan Grubi e informoi
zëvendëskryeministren e Kosovës, znj. Albulena Balaj Halimaj se tashmë
ka filluar studimi i fizibilitetit që financohet nga Fondi Investues për
Ballkanin Perëndimor dhe kjo do të jetë në interes të jashtëzakonshëm
për qytetarët e Republikës së Kosovës, jo vetëm për arsye të çmimit të
energjisë elektrike, por edhe mbrojtjes së ambientit.

Grubi dhe Balaj shkëmbyen mendime edhe rreth autostradës Shkup-Bllacë,
që do të ndërlidhet me autostradën që shpie deri në Prishtinë.

Grubi i tha homologes së tij të Kosovës se në Maqedoni të Veriut,
Qeveria tashmë ka emëruar z. Ejup Rustemi për drejtor të Ndërmarrjes
Publike “Rrugët Shtetërore të Maqedonisë”, me të cilin brenda 1 jave ka
mbajtur dy takime dhe që tashmë kanë nisur në mënyrë intensive t’i qasen
kësaj rruge. Sipas Grubit, 90 për qind e eksproproimit të tokës është
kryer dhe 10 për qindëshi i cili ka mbetur do të përfundoj brenda 1 apo
2 jave më së voni, ndërsa punimet tashmë tre ditë kanë filluar në dy
kilometrat e parë.

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për sistem politik dhe
marrëdhënie ndërmjet bashkësive, z. Artan Grubi ka përsëritur qëndrimin
e tij se shpreson që deri në përfundim të mandatit 4 vjeçar të qeverisë,
qytetarët e të dyja vendeve të kenë mundësinë që nga Shkupi në Prishtinë
dhe anasjelltas të mbërrijnë për 40 minuta, duke vijuar edhe me
themelimin e pikës së përbashkët kufitare midis Maqedonisë së Veriut dhe
Kosovës me qëllim që qytetarët të mos kenë nevojë të ndalen në dy pika
kufitare, si një hap për ta larguar përfundimisht kufirin midis nesh dhe
nga një One Stop Shop të bëjmë Non Stop, të kalojmë pa kufij midis dy
vendeve tona.

Në fund të këtij takimi, Grubi dhe Balaj Halimaj kanë diskutuar edhe për
bashkëpunimin në sferën e turizmit, në veçanti për Kodrën e Diellit në
Maqedoni të Veriut si dhe Brezovicën në Kosovë, ku përmes partneritetit
publiko-privat dhe fondeve evropiane të ndërtohet një qendër e
përbashkët turistike që do të jetë më atraktivja në Evropën Juglindore.   

Marketing