Grubi – Romeo: Italia partner i yni në rrugën e integrimit evropian

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive z.Artan Grubi, sot realizoi takim pune me ambasadorin e Italisë në Maqedoninë e Veriut, z.Karllo Romeo.

Marketing

 Në këtë takim u shkëmbyen mendime për marrëdhëniet dypalëshe mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Italisë, të cilat vite me radhë karakterizohen me miqësi dhe mirëkuptim të ndërsjellë.

 Bashkëbiseduesit folën edhe për reformat, Marrëveshjen e Ohrit dhe luftën e pakompromis ndaj korrupsionit në vend.

 Zëvendëskryeministri i parë z.Grubi theksoi se Ministria për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive do të jetë një ministri moderne dhe përgjegjëse e cila do të kontribuojë në kohezionin shoqëror dhe barazinë qytetare.

 Zëvendëskryeministri Grubi me këtë rast i ka thënë ambasadorit Romeo se vlerëson përkrahjen sistematike që Italia ia ofron procesit të integrimeve evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe shprehu kënaqësinë që shumë nga projektet e financuara nga shteti Italian përkrahin fuqishëm prioritetet e vendit për anëtarësim sa më të shpejtë në Bashkimin Evropian.

 

Nga ana e tij ambasadori italian Romeo është shprehur optimist se gjatë periudhës së ardhshme, Maqedonia e Veriut, njëjtë sikur edhe shtetet tjera do të angazhohet fuqishëm në drejtim të përforcimit të ekonomisë dhe të sigurimit të mbrojtjes përkatëse shëndetësore për qytetarët e saj nga Covid-19. Ai gjithashtu tha se vendin, përkatësisht institucionet shtetërore i pret një rritëm më i madh i punës në përmbushjen e agjendës evropiane, përfshirë këtu reformat në luftën kundër korrupsionit, reformat në gjyqësi dhe sundimin e së drejtës, reforma këto që Bashkimi Evropian u kushton vëmendje të veçantë.

 

Grubi dhe Romeo bashkëbiseduan edhe për rritjen dhe zhvillimin e bashkëpunimit në sferën e ekonomisë, duke përmendur në veçanti planin e tërheqjes më të madhe të investimeve italiane në vend si dhe diskutuan edhe për këmbimin e praktikave të përbashkëta që do të ndihmonin Maqedoninë e Veriut si anëtare e ardhshme e BE-së.

 

Marketing