1349 administratorë do të sistemohen në 237 institucionet të ndryshme shtetërore. Ky është plani i miratuar nga Qeveria për transferimin e nëpunësve administrativë të punësuar përmes programit K5 në Ministrinë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive. Më së shumti prej tyre janë ekonomistë dhe juristë, informoi sot zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi.

Transferimi bëhet nëpërmjet sistemimit të të punësuarit në vend të punës në nivel të njëjtë, aty ku i plotëson kushtet të përcaktuara në aktin e sistematizimit në institucionit ku transferohet.

“Nuk kanë më të drejtë zë zgjedhin vend tjetër. Ky është opsioni i vetëm ku ata mund të vijnë, ta pranojnë vendim-udhëzimin që unë tashmë e kam nënshkruar dhe të fillojnë procedurën për çlajmërim nga ministria jonë dhe të paraqiten në institucion tjetër, aty ku janë shpërndarë. Nëse mbi çfarëdo baze, cilido prej tyre nuk vjen ta marrë vendimin në afat prej 7 ditësh, atëherë të gjithë atyre u ndërpritet vendi i punës në Ministrinë për Sistem Politik dhe vendosen në listën e transferimit ku zgjedhja më nuk mund të jetë e tyrja”, tha Grubi.