Gruevski as sot në mëngjes nuk u paraqit në burgun e ‘Shutkës’

Ish-kryeministri Nikolla Gruevski as mëngjesin e sotëm nuk është paraqitur në Burgun e Shutkës, ku duhet të vuajë dënimin prej dy vjetësh për rastin e Mercedesit.
Dhjetëra media dhe gazetarë deri në orët e mëngjesit kanë pritur Gruevskin për tu paraqitur në burgun në periferi të Shkupit, mirëpo ai nuk kishte ardhur, me arsyet tashmë të panjohura.

Marketing

Dje atë e kanë kërkuar nga korrierët e gjykatës Shkupi 1 për t’ia dorëzuar vendimin me të cilin refuzohen ankesat ndaj vendimit për dy vjet burg. Por, në tre tentativat e bëra ne banesën e tij, korrierët kanë takuar vetëm bashkëshorten e Gruevskit e cila ka njoftuar se i kërkuari nuk ndodhet në shtëpi.

Gruevski u dënua me 2 vjet burg për rastin “Tanku” të hetuar nga Prokuroria Speciale, ku ai kishte dhënë urdhër për blerjen e një Mercedesi me vlerë prej 600 mijë euro nga ana e MPB-së. Ish-kryeministri po hetohet dhe akuzohet edhe për disa vepra të tjera që po hetohen nga Prokuroria Speciale.