Ish kryeministri Nikolla Gruevski edhe më tej është i pakapshëm për policinë e cila gjurmon pas tij që të zbatojë vuajtjen e dënimit me burg prej dy vjetësh për lëndën “Tanku”.

Tani për tani nuk ka informacione nëse MPB e ka locuar Gruevskin. Nga MPB thonë se policia vazhdon të veprojë pas fletëarrestit të lëshuar dhe se do ta informojë opinionin pasi të kenë të dhëna konkrete.

Policia mbrëmë disa herë u përpoq të gjejë Gruevskin në shtëpinë e tij, por pa sukses. Ekipe të policisë kanë qenë në selinë e VMRO-DPMNE-së.

Avokati i Gruevskit, Dimitar Dangov dje deklaroi se nuk ka njohuri se ku gjendet klienti i tij. Ai ka thënë se Gruevski nuk ka të drejtë ankese deri në Gjykatën Supreme për vendimin e Penales. Por, ka shtuar se do të përdorin gjitha mundësitë tjera juridike.

Kryeministri Zoran Zaev mbrëmë deklaroi se nuk pret që ish kryeministri Nikolla Gruevski, për të cilin është shpallur fletëarrest, të lejojë që të largohet.

“Unë pres se ai nuk do t’i lejojë vetes që të kërkohet për arrestim. Ai thoshte se nuk do të lejojë një gjë të tillë, të paktën të tilla janë informacionet e mia nga ato që ka thënë Nikolla Gruevski”, tha Zaev në pjesëmarrjen e tij në një emision në Televizionin e Maqedonisë.

Nga VMRO-DPMNE, kanë akuzuar se kundër ish liderit të tyre zhvillohet përndjekje politike.

“Vallë për personin për të cilin me vite zhvilloni përndjekje politike dhe e trajtoni si armik të shtetit thoni se nuk e dini se ku ndodhet?”, parashtron pyetjen lideri i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski duke shtuar se “deri dje, ashtu si edhe ai, na ndiqnit dhe na kërcënonit të gjithë”.