Dhjetë minuta para mesditës. Me kostum dhe me kravatë, Nikolla Gruevski u paraqit në gjykatë. Ndryshe nga të premtet e kaluara, erdhi dhjetë minuta më herët meqë saktësisht në mesditë duhej ta mbronte doktoraturën në Fakultetin Ekonomik. Në ndërtesën e gjykatës qëndroi shkurt, ndonëse në korridor ishte edhe kushëriri i tij Sasho Mijallkov.

Megjithatë, nuk dolën së bashku. Gruevski doli nga ndërtesa i pari. Një pjesë e gazetarëve i dëshiruan fat në mbrojtjen e punimit shkencor.

Nikolla Gruevski në Fakultetin Ekonomik erdhi me dy vajzat dhe nënën e tij, Nada. Mediave nuk iu lejua që të regjistrojnë mbrojtjen e doktoraturës. Tema e doktoraturës që Gruevski e mbrojti me sukses mban titullin: “Efektet ekonomike të llojeve të ndryshme të qarkullimeve ndërkombëtare të kapitalit me fokus të veçantë në Republikën e Maqedonisë”.

Gruevski e ka paraqitur doktoraturën para shtatë viteve derisa ishte kryeministër, por e ka mbaruar sivjet. Një pjesë e tezave të tij në amfiteatër ishin edhe masat ekonomike të Qeverisë që e drejtonte, me fokus të veçantë në suksesin e tërheqjes së investitorëve të huaj. Gruevski foli gjatë. Profesorët të cilët ishin pjesë e komisionit kërkuan që ta shkurtojë prezantimin, ndërsa si plotësim u prish edhe projektori me slajde nga punimi i tij.

Kjo është shenjë se duhet të shkurtoni prezantimin. Mund të përfundojmë- theksoi Lube Tërpeski, ish-guvernator i BPRM-së.

Në mbrojtjen e titullit të doktorit të Gruevskit, megjithatë nuk erdhën anëtarë të dalluar të kryesisë aktuale dhe të mëparshme të VMRO-së. Në mesin e mysafirëve kishte gazetarë, studentë dhe historiani Nikolla Sërbov, i njohur si pjesë e lëvizjes „Stop operacioni SOROS”. Doktoratura e Gruevskit javëve të fundit shkaktoi reagime në opinion.

Gazetari Milenko Nedellkovski dhjetë ditë më parë akuzoi se doktoratura e Gruevskit është analizë e vjedhur që dikur e ka porositur shteti, është paguar me para të popullit, ndërsa është përpiluar nga një kompani nga Londra për projektin “Zonë e lirë financiare” që është dashur të vendoset në kazermën Ilinden.