Mediat hungareze njoftuan sot se autoritetet në Budapest i kanë dhënë të drejtën e azilit ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, pas kërkesës së tij. Portali hungarez 24.hu ka shkruar se zyra për emigracion dhe azil në Hungari ka sjellë vendim që ti jepet e drejta e azilit ish-kryeministrit të arratisur maqedonas.

Por zyrtarisht deri tani nuk ka ndonjë prononcim nga autoritetet hungareze lidhur me këtë çështje. Ndërkohë, autoritetet e Shkupit sot do të dorëzojë kërkesën për ekstradimin e Gruevskit, edhe përkundër asaj se ai do të përfitojë të drejtën e azilit.
Autoritetet hungareze thanë se pranuan strehimin e Gruevskit për shkaqe sigurie pasi që bëhet fjalë për një ish-kryeministër, edhe pse pati kritika nga partitë opozitare në adresë të kryeministrit Viktor Orban.