Guardian: Pse rezultati i referendumit në Maqedoni është një tjetër fitore për Rusinë

Refuzimi i maqedonasve për të mbështetur ndryshimin e emrit të vendit të tyre duket, në pamje të parë, të jetë çështje e një interesi thjeshtë lokal. Por, rezultati i referendumit të së dielës do të shihet gjerësisht si një fitore e rëndësishme për Vladimir Putinin, një pengesë për BE-në e NATO-n dhe një tjetër shembull shqetësues i aftësisë dhe gatishmërisë së Rusisë për të ndikuar në procesin demokratik të vendeve perëndimore.

Marketing

Zyrtarët perëndimorë paralajmëruan para votimit se Moska po përpiqej të ulte pjesëmarrjen në referendum me qëllim që të zhvlerësonte rezultatin.

Si përfundim, më shumë se 90% e votuesve mbështetën ndryshimin e emrit.

Por, pjesëmarrja ishte rreth 36%, pra më pak se 50% që kërkohet. Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, është zotuar të shtyjë përpara tentativat për ndryshimin e emrit, por do të përballet me kundërshtim të ashpër nga nacionalistët.

Sipas analistëve perëndimorë, rritja e paqëndrueshmërisë dhe përçarja në vend është pjesë e planit të lojës së Rusisë.

Nëse referendumi do të ishte i suksesshëm, do të kishte zgjidhur një mosmarrëveshje disa-vjeçare me Greqinë, që ka bllokuar rrugën e Maqedonisë drejt anëtarësimit në BE dhe NATO. Si kudo në Ballkanin perëndimor, sidomos në Serbi, Kosovë dhe Malin e Zi, Moska është e vendosur të parandalojë zgjerimin e mëtejshëm të ndikimit perëndimor.

Për studentët e zgjedhjeve presidenciale amerikane të vitit 2016, metodat e Rusisë në Maqedoni duken shumë të njohura. Fushatat e dezinformimit dhe “lajmet e rreme”, lufta kibernetike dhe hakimet, llogari fallco Facebook-u e Twitter-i dhe pagesat sekrete në kesh dyshohet se janë përdorur nga Rusia në Maqedoni.

Rusia mohon ndërhyrjen. Por, diplomatët perëndimorë pretenduan muajin e kaluar se 40 postime të reja në ditë po shfaqeshin në Facebook duke inkurajuar një bojkot të referendumit. Në rrjetet sociale kishte pyetje të tipit: “A do t’i lejoni shqiptarët të ndryshojnë emrin tuaj?” – një përpjekje e qartë për të nxitur tensionet mes pakicës entike shqiptare dhe shumicës sllave.

Pak kohë më parë, disa fansa futbolli kundërshtuan ndryshimin e emrit dhe u përplasën me policinë në Shkup. Disa orë më vonë pranuan se ishin paguar për të shkaktuar telashe nga ‘figura të fshehura’. Një fotografiqë u shpërnda në mediat sociale tregonte fytyrën e enjtur të një këngëtareje të njohur. Pretendohej se ajo ishte rrahur nga policia. Por, kjo nuk ishte e vërtetë.

Zaev tha në një moment se kishte marrë raporte të shumta se biznesmenë grekë, “simpatizantë ndaj kauzës ruse”, kishin paguar grupet nacionaliste të djathta deri në 21 mijë dollarë për të kryer akte dhune. Ai u mbështet nga James Mattis, sekretari i mbrojtjes i SHBA, i cili deklaroi në një vizitë në Shkup se “nuk ka dyshim se Rusia kishte transferuar para dhe po kryente fushatë të gjerë për të ndikikuar (në referendum)”.

Tentativa e Mattis për të mbështetur një votë “Po” në referendum, e mbështetur nga 8 milionë dollarë financim nga Kongresi amerikan, u plotësua nga vizitat e Angela Merkel, kancelares gjermane, Jens Stoltenberg, sekretarit të përgjithshëm të NATO-s dhe Federica Mogherinit, shefes së politikës së jashtme të BE. Edh Zyra e Jashtme Britanike raportohet se ka siguruar fonde për referendumin.

Të gjithë u përpoqën t’i sigurojnë maqedonasve siguri dhe prosperitet për të ardhmen, duke i integruar ata më shumë me perëndimin. Por, Moska kishte shpenzuar më shumë, ishte menduar më shumë dhe ia arriti qëllimit për të zhvleftësuar referendumin.

James Mattis i lidhi këto ngjarje në Maqedoni me ndërhyrjen e mëparshme ruse tek votat në SHBA, Britaninë e Madhe dhe Europë.

“Ne nuk duam që Rusia të bëjë (në Maqedoni) atë që është përpjekur të bëjë në shumë vende të tjera,” tha ai. Në mënyrë të ngjashme, Stoltenberg tha: “Ne kemi parë që Rusia përpiqet të ndërhyjë në proceset demokratike politike në këtë rajon për shumë vite”.

Ndërhyrja e Rusisë shtrihej deri në veri të Greqisë, ku katër diplomatë u dëbuan në korrik pasi po përpiqeshin që të ndiznin ndjenjat anti-maqedonase në Selanik. Në vitin 2016, Moska u akuzua se po përgatiste një grusht shteti në Malin e Zi për të parandaluar anëtarësimin e këtij vendi në NATO.

Si kudo në Europë, fushata e influencës së Rusisë në Maqedoni ka shfrytëzuar të djathtët nacionalistë dhe populistë, që bazohen në nocionet e identitetit, racës, dhe duke kërcënuar kështu me një perceptim të një BE-je të përmbysur. Dhe mbetet e paqartë nëse veprimet e Moskës e kanë tejkaluar balancën.

Paradoksi është se, pavarësisht emrit që ka vendi i tyre, shumica e maqedonasve mbështesin anëtarësimin në BE dhe NATO, sipas një sondazhi të kohëve të fundit. Kjo perspektivë ka rënë, të paktën tani për tani. Në garën e vazhdueshme në Europë për pushtet dhe ndikim, Rusia sapo shënoi përsëri.