Hackeri i tmerrshëm, 8 vite ‘brenda’ Facebook të 3 mijë personave!

jë 20-vjeçar u arrestua nga Policia e Tiranës pasi dyshohet se ka ndërhyrë në mbi 3 mijë adresa të rrjeteve sociale dhe jo vetëm, të cilat kanë qenë të personave nga Shqipëria por edhe të huaj.
Arben Bozhiqi lindur në Pejovë të Peqinit, tashmë ishte me banim në zonën e Laprakës në Tiranë.

20-vjeçari u arrestua në flagrancë pas një hetimi 6-mujor. Për 8 vjet ai ka ushtruar këtë aktivitet kriminal, që nga viti 2010. Nga bisedat e kryera në rrjetet sociale rezulton se kishte një shkëmbim adresash me qëllime të ndryshme fitimi.

Ai akuzohet për vepra penale “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”, “Falsifikimi kompjuterik” dhe “Hyrje e paautorizuar kompjuterike”.

Gjatë kontrollit të banesës u sekuestruan një pajisje kompjuterike dhe një telefon celular, pajisje të cilat pasi u këqyrën rezultoi të përmbanin të dhëna të rëndësishme me interes për hetimin.

Konkretisht:
U gjetën 11 profile të rrjetit social “Facebook” me të dhëna të rreme të cilat administroheshin dhe përdoreshin nga Arben Bozhiqi.

Gjatë këqyrjes së profileve që administroheshin prej tij u gjetën foto intime të vajzave të ndryshme disa prej të cilave dyshohet se kanë qenë minorene në kohën kur këto foto janë realizuar si dhe dyshohet se këto foto janë marrë nëpërmjet marrjes së adresave të rrjeteve sociale të vajzave.

Mbi 1200 (njëmijë e dyqind) adresa të ndryshme të postës elektronike (e-mail, hotmail, yahoo, live etj., të personave të ndryshëm.

Mbi 400 (katërqind) kode hyrjeje (password) për adresa të ndryshme të rrjeteve sociale të shtetasve të ndryshëm etj.

Mbi 100 (njëqind) adresa (URL) të faqeve të ndryshme të rrjetit social “Facebook” të shtetasve të ndryshëm.

Mbi 50 (pesëdhjetë) link-e (adresa) të ndryshme të cilat janë përdorur në periudha të ndryshme kohore për të marrë (phishing) kodet e hyrjes së adresave të ndryshme të postës elektronike, rrjeteve sociale etj.

Aktualisht – thotë policia – po punohet për zbardhjen e plotë të këtij aktiviteti kriminal dhe personat të cilët mund të jenë të lidhur me këtë shtetas.

evn