Hahn: Ka ardhur koha që Ballkani Perëndimor të bashkohet me BE-në

Komisioneri evropian, Johannes Hahn, ka thënë se ka ardhur koha që Ballkani Perëndimor të jetë pjesë e Bashkimit Evropian.
Komisioneri Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë, Johannes Hahn, ka shtuar, se është koha që të përfundojë procesi i integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Marketing

“Sot ne festojmë 15-vjetorin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, një projekt ambicioz i bazuar në përpjekjet dhe vizionin e përbashkët: ribashkimin e kontinentit evropian dhe mbrojtjen e paqes, prosperitetit dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e Bashkimit Evropian”, kështu ka shkruar Hahn, në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Twitter.

Sipas tij, tani është koha që Ballkani Perëndimor të integrohet në BE dhe se sipas tij, me përpjekje të përbashkëta, kjo do të jetë një histori suksesi për të dyja palët.

“Ky vizion u realizua dhe tani është koha për të hedhur vështrimin përpara dhe për të finalizuar projektin historik të unifikimit të evropianëve duke integruar edhe Ballkanin Perëndimor. Jam i sigurt se, me përpjekje të përbashkëta, kjo do të jetë një histori suksesi për të dyja palët, Bashkimin Evropian dhe Ballkanin Perëndimor. Jemi më të fortë së bashku”, përfundon Hahn.