Hahn: Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria duhet shpërblyer

Komisioni Evropian (KE) do të rekomandojë hapjen e negociatave për inkuadrim për anëtarësim të plotë me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë, konfirmoi Komisari për Zgjerim të BE-së, Johanes Han.

Marketing

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë (REL) Han konfirmoi se rekomandimi do të publikohet më 29 maj, kur Komisioni Evropian do ta publikojë raportin vjetor për progresin e vendeve të cilat janë në procesin e zgjerimit.
“Për dy javë do ta paraqesim raportin tonë vjetor ku definitivisht do të rekomandojmë hapjen e bisedimeve për të dyja vendet (Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria)”, deklaroi Han.

Siç kumtoi komisari evropian, nga vendet anëtare të BE-së varet se a do të pajtohen me rekomandimin e Komisionit Evropian.

“Të dyja vendet i përmbushën kushtet dhe tani e kanë radhën vendet anëtare që të dalin me vlerësime politike”, theksoi Han.

Përndryshe, ky do të jetë rekomandimi i parë për Shqipërinë dhe i dhjeti për Maqedoninë e Veriut.

Nga viti 2009, KE-ja rekomandon hapjen e negociatave për anëtarësim. Megjithatë, ky rekomandim ende nuk ka marrë pajtueshmëri nga ana e vendeve anëtare të cilat kanë autorizime që të sjellin vendim përfundimtar për këtë çështje. Në ndërkohë, Shkupi dhe Athina e nënshkruan Marrëveshjen e Prespës, e cila duhet ta zhbllokojë rrugën euroatlantike të Maqedonisë së Veriut.

Shkupi zyrtar bëri punë të jashtëzakonshme në përmbushjen e të gjitha kushteve për fillimin e negociatave për anëtarësim me BE-në. Duhet ta pranojmë progresin e madhe të cilin e arriti Maqedonia e Veriut në tejkalimin e konflikteve bilaterale, që ishte edhe parakusht për anëtarësimin e ardhshëm, thekson Johanes Han.

Siç bën të ditur REL, ishte planifikuar që Këshilli i ministrave të BE-së të vendosë që t’i fillojë negociatat për anëtarësim me këto vende në takimin në qershor. Megjithatë, në qarqet evropiane qarkullojnë informacione se debati do të anulohet për më vonë, sepse disa vendeve iu nevojitet leje nga parlamentet kombëtare dhe se korniza kohore mes rekomandimeve dhe pauzës së qershorit është shumë e vogël që të respektohen të gjitha procedurat.

I pyetur që t’i konfirmojë zërat se a do të anulohet vendimi për negociatat për anëtarësim për më vonë, Johanes Han për REL thotë se “qëllimi gjithmonë ishte që vendimi të sillet gjatë verës”.

Sipas informacioneve jozyrtare të REL, në BE ekzistojnë indikacione se mendohet për debat të mundshëm për fillimin e negociatave për anëtarësim ne takimin ministror në korrik, që do të jetë seanca e parë e rëndësishme gjatë presidencës finlandeze në BE. Finlanda e ndërmerr kryesimin me BE-në më 1 korrik.

Marketing