Halili: Integrimi i vendeve të rajonit, rrugë e vetme e stabilizimit të Ballkanit

Në një opinion lidhur me procesin e Referendumit, ish zv.kryeministri për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, Dr. Festim Halili thotë se vota pro do jetë një indikatorë i qartë ku qytetarët do japin vlerësimin se janë për një perspektivë të re dhe më të mirë.

Marketing

“Referendumi, paraqet një mundësi për ti dhënë jetë neofunksionalizmit, respektivisht kahëzimit të vendit tonë në drejtim të Aleancës Veri-Atlantike dhe rreshtimit në një vi me Shqipërinë dhe vendet tjera të rajonit, që ndajnë vlera të përbashkëta të qytetërimit europian. Vota pro, do të jetë një indikator i qartë, që tregon se qytetarët tanë mëtojnë drejt një perspektive të re dhe më të mirë.

Njëherit, ky proces do të promovojë idenë e fqinjësisë së mirë dhe tejkalimit të ngërçeve politike me fqinjët dhe hapërimit drejt një të ardhme më të sigurtë për ne dhe pasardhësit tanë”, kështu thekson në opinionin e tij në lidhje me procesin e Referendumit, ish zv.kryeministri për zbatimin e MO-së, Festim Halili.

Sipas tij, vetëm integrimi i vendeve të rajonit është rrugë për stabilizimin e Ballkanit por edhe të Europës në përgjithësi.

“Një kohë, skepticizmi ishte i lartë i shumë njerëzve ndaj thirrjes së kryetarit të BDI-së z. Ali Ahmeti për integrimet në NATO dhe BE, por tani ndodhemi në një situatë të re dhe duke qenë realist, kuptojmë se mesazhet që përsëriteshin shpesh, kishin kuptimin e shiqimit matanë maleve dhe sot po bëhen realitet. Unë besoj fort që vetëm neofunksionalizmi dhe integrimi i plotë i vendeve të rajonit është rruga për stabilizimin e Ballkanit, por edhe të vetë Europës”, sqaron kështu Halili.

Halili mes tjerave vlerëson se një votë pro këtij procesi është vazhdimësi e reformave në gjyqësorë, luftë kundër korrupsionit dhe realizimi i standardeve tjera e njëherit edhe zhvillim i kuadrove profesionale në sferën e dijes.

“Vota pro, do të thotë që duam të jemi të siguruar nën ombrellën e NATOs, do të thotë që do vazhdojmë me reformat në gjyqësor, luftën kundër korrupsionit, modernizimin dhe aplikimin e standardeve të reja në zhvillimin e kuadrove profesionale në vatrat e dijes, do të thotë që duam të jemi përkrah botës së civilizuar, respektivisht shteteve të Evropës dhe SHBA-ve”, thotë ish zv.kryeministri.

Rol konstruktiv sipas ish zv.kryeministrit Halili duhet të luajnë të gjithë përfshirë këtu partitë politike, sektori civil mediat të cilët duhet të jenë në shërbim të qytetarëve.
“Njëherit, potencoj faktin që referendumi nuk reflekton matjen e forcave të partive të skenës politike në vend, suksesi i mundshëm, që nuk e vë në dyshim, do ti atribuohet vet qytetarëve dhe të ardhmes më të mirë për fëmijët tanë.

Kjo nënkupton se gjitha partitë politike, sektori civil, mas-mediat, që janë në funksion dhe shërbim të banorëve të këtij vendi, duhet të luajnë një rol konstruktiv dhe të informojnë votuesit për rëndësinë e këtij procesi. Vota ime do të jetë një copëz e ndryshimit që ne duam të shohim në botë”, thekson mes tjerave ish zv.kryeministri Festim Halili.