Hamilton feston në shtëpinë e Ferrarit

Lewis Hamilton me Mercedes fitoi garën e Çmimit të Madh të Italisë në Formula 1, sukses i merituar i pilotit britanik, që bëri një garë në sulm dhe korri një fitore që e afron gjithnjë e më shumë me titullin kampion.
Ai përfitoi edhe nga gabimet e rivalëve të tij, kryesisht të Sebastian Vettel, që në kthesat e para të garës nuk evitoi dot një kontakt me Hamilton dhe gjermani e mbylli garën i katërti pasi përfundoi në vendet e fundit.

Marketing

Mbi të gjitha, piloti i Mercedes arriti të mposhtë Kimi Raikkonen me makinën tjetër Ferrari, që e kryesoi garën në shumicën e kohës, por u detyrua të hapë krahun 8 xhiro nga fundi. Finlandezi u rendit i dyti, ndërsa i treti u rendit Valtteri Bottas me makinën tjetër Mercedes.

Edhe pse Ferrari ishte favorit për ta fituar garën e shtëpisë, pasi garonte para fansave të saj në pistën e Monza dhe e nisi atë me dy pilotët e saj në vijën e parë të startit, nuk festoi dot.

Mercedes u tregua më konkrete në pistë, arriti të jetë e saktë në momentet vendimtare dhe e meritoi fitoren. Ndërkohë që Vettel mbetet zhgënjimi më i madh i garës, pasi u rendit i katërti edhe pse rikuperoi shumë pozicione pas kontaktit në start, por ndoshta ishte vetë fajtor.