Han: BE të japë sinjal të qartë për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë

Shefja e diplomacisë evropiane Federika Mogerini u bëri thirrje vendeve anëtare të BE-së që të marrin vendim pozitiv për negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë. Para fillimit të Këshillit të BE-së për Punë të Jashtme në Luksemburg të cilin e kryeson Mogerini, ajo uroi Maqedonisë së Veriut njëvjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës, duke theksuar se është bërë një hap tejet i guximshëm.

Marketing

“Sot u mbush një vit nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Prespës midis Maqedonisë Veriore dhe Greqisë dhe mendoj se duhet të kujtojmë fuqinë e guximit dhe lidershipin, si dhe hapat e rëndësishëm që janë ndërmarrë në Ballkan. Shpresoj që shtetet anëtare t’i kujtojnë dhe t’i njohin këto hapa, veçanërisht në ditët në vijim kur duhet marrë vendim i rëndësishëm në hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, një vendim që duhet bërë sa më shpejtë që të jetë e mundur”, deklaroi shefja e diplomacisë evropiane Federika Mogerini.

Kurse, komisari për Zgjerim Johanes Han, u shpreh se Bashkimi Evropian duhet të japë një sinjal të qartë për Maqedoninë e Veriut, por edhe për Shqipërinë. Han ka përsëritur se çdo shtyerje për fillim të negociatave mund të sjellë rrezik.

“Ne jemi akoma duke negociuar. Mendoj se mund të përsëris atë që kam thënë gjithmonë. Sa më shpejt që të jetë e mundur. Ata kanë bërë gjithçka që duhet. Kjo nuk është vetëm për Maqedoninë e Veriut por është një sinjal për tërë rajonin.

Nuk më pëlqen që të përdorim termin kompromis për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Është diçka që duhet ta pranojmë, sepse nuk është vendimi im. Mesazhi im ka qenë i qartë për këto vende dhe për ato që duhet të shpërndajmë. Çdo rast shtyrjeje afron rrezikun dhe unë nuk dua të kemi rrezik, kur nuk është e nevojshme që të kemi rrezik”, deklaroi komisari për Zgjerim Johanes Han.

Të njëjtët ministra që kanë qenë sot prezent në Këshillin e BE-së për Punë të Jashtme, gjatë ditës së nesërme do të mbajnë mbledhjen e “Çështjeve të Përgjithshme” në Luksemburg dhe në rend dite do të jetë hapja e negociatave mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Marketing