Ideja për shkëmbim territorial për Serbinë dhe Kosovën nuk duhet të hidhet poshtë menjëherë edhe krahas rreziqeve në rajon dhe jashtë tij, vlerëson eurokomisari për Zgjerim i BE-së dhe për fqinjësi të mirë, Johanes Han.

“Në këtë etapë ne duhet t’u lejojmë të dy palëve ta shqyrtojë këtë ide dhe ide tjera dhe me mbështetje të BE-së të negociojnë për to”, deklaroi Han për gazetën gjermane “Velt” para bisedave të sotme në Bruksel.

Han shtoi se e kupton që ky është “proces emotiv”, por i hodh poshtë druajtjet se ndryshimi i kufijve mund të çojë deri te ndonjë lloj rigrupimi etnik.

“Kjo nuk do të ndodhë”, theksoi ai.

Eurokomisari shprehu bindjen se “qeveritë e Serbisë dhe Kosovës do të punojnë me përgjegjësi” dhe shtoi se çdo marrëveshje do të fitojë mbështetje ndërkombëtare vetëm nëse i përmbush kërkesat rajonale dhe sjellë më shumë stabilitet në rajon.