Han: “Skriningu” vetëm fillimi, keni edhe shumë punë (video)

Komisioneri evropian për zgjerimin Johanes Han tha se procesi i verifikimit, respektivisht Skriningu është hapi i parë thelbësor në përgatitjen e Maqedonisë dhe Shqipërisë për t’i filluar negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Han theksoi se ky proces është materializim i perspektivës evropiane për vendet dhe dëshmi për angazhimin e fuqishëm të BE-së. Ai u shpreh optimist se kjo punë përgatitore mund të përfundojë deri në verën e vitit të ardhshëm.

Marketing

Pas Strategjisë për Ballkanin Perëndimor në shkurt të këtij viti, Samitit të Sofjes dhe konkluzionet e Këshillit Evropian në qershor, marrëdhëniet tona kanë hyrë në një fazë vendimtare. Ky është një proces që do të ju inkurajojë të zbatoni reformat e nevojshme që të bëheni anëtarë të familjes së madhe evropiane. Ky është një proces shoqëror që do të ju sjellë ndryshim për të mirën e vendeve tuaja dhe sigurojë dobi konkrete për qytetarët tuaj, duke ofruar perspektiva të reja për punë dhe garantuar sundim të ligjit dhe drejtësi për çdo qytetar. Është një investim për të ardhmen e përbashkët. Sigurisht ky është vetëm fillimi dhe ka shumë punë para nesh, por jam i bindur se do t’ia dalim së bashku”- tha Johanes Han, komisioneri i BE-së për Zgjerim.

Zv/kryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani shprehu gatishmërinë e vendit për t’i zbatuar të gjitha reformat e nevojshme. Duke theksuar faktin se procesin e verifikimit Maqedonia po e kalon bashkë me Shqipërinë, Osmani tha se përmes integrimit në BE dy vendet fqinje do të kenë mundësi t’i shlyejnë kufijtë dhe do t’i integrojnë qytetarët në thelbin e vlerave evropiane, solidaritetit, lirisë, barazisë dhe sundimit të ligjit. Ministrja e Drejtësisë së Shqipërisë, Etilda Gjonaj ndër tjerash tha se Shqipëria po transformohet me zbatimin e reformave në drejtësi.

Ne jemi të bindur që rruga e shqiptarëve dhe e gjithë rajonit është familja e përbashkët evropiane. Për këtë qëllim ne jemi angazhuar ndaj qytetarëve shqiptarë dhe ndaj partnerëve evropianë për të vijuar zbatimin e çdo reforme të nevojshme. Procesi i sotëm është vetëm fillimi në rrugën pa kthim të Shqipërisë në BE. Realizimi i detyrave teknike është pjesë e një angazhimi më të lartë politik, në të cilën Shqipëria do të shfaqet më e konsoliduar një vit më pas”- theksoi Etilda Gjonaj, Ministre e Drejtësisë së Shqipërisë.

Në mbledhjen dyditore në Bruksel, Maqedonia dhe Shqipëria kanë filluar procesin e verifikimit me Kapitullin 23-gjyqësi dhe të drejta fundamentale. Ky proces zgjat një vjet, me ç’rast ekipet punuese do të kenë edhe 32 mbledhje të tjera./alsat-m

Marketing