Hapet xhamia në Kopanicë të Tetovës

Në prani të Kryetarit të Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi, të myftilerëve të më shumë myftinive, të dekanit të Fakultetit të Shkencave Islame prof. dr. Shaban Sulejmani, të kryetarit të Kuvendit të BFI-së Fadil ef. Ramadani, të kryetarit të OH “Hilal” Mustafa ef. Dauti, të drejtorit të Agjencisë së Standardit Hallall Muamer ef. Veseli, të profesorëve të Medresesë Isa Beu dhe të hoxhallarëve të Myftinisë së Tetovës, më 17 gusht, 2019, në Kopanicë të Tetovës, komuna e Jegunovcës, është hapur xhamia e re e fshatit.

Marketing

Programi ka filluar me një pjesë nga Kurani i shenjtë nga Ejup ef. Selmani, më pastaj imami i Xhamisë, Besart ef. Jonuzi, ka folur mbi ecurinë e ndërtimit të Xhamisë dhe ka falënderuar të gjithë kontribuesit për ndërtimin e saj.

Fjalë përshëndetëse ka mbajtur Myftiu i Tetovës, prof. dr. Qani ef. Nesimi, i cili ka falënderuar të gjithë për prezencën, në veçanti Kryetarin e Bashkësisë Fetare Islame të RMV, Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi.

Më pastaj fjalën e ka marrë Haxhi Memedaliu nga Kopanica, një plak në moshë, një nga iniciatorët për ndërtimin e Xhamisë.

Fjalën e rastit e ka mbajtur Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi, i cili i ka përshëndetur të pranishmit, duke i cilësuar xhamitë me figuracion si ‘fabrika’, ku myslimanët nxjerrin burra dhe gra që ruajnë kombin dhe fenë. Muhamedi (a. s.) punën e parë që ka bërë, ka qenë xhamia kur ka shkuar në Medinë. Prandaj, ka thënë Sulejman ef. Rexhepi, shtimi i xhamive, ngritja dhe zgjerimi i tyre, është një nga punët më të pëlqyera të çdo myslimani në faqen e dheut. Prandaj ne, si myslimanë, nuk duhet të tolerojmë që të na copëtojnë, por gjithmonë duhet të jemi bashkë, se vetëm duke qenë bashkë jemi më të fortë. Të gjithë kontribuesit për ngritjen e xhamive dhe të këtyre vlerave, Zoti i shpërbleftë – ka theksuar Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të RMV, Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi.

Manifestimi në Kopanicë ka përfunduar me një pjesë nga Kurani, të deklamuar nga h. Selver ef. Xhemaili dhe me duanë që ka bërë myftiu i Shkupit, mr. Qenan ef. Ismaili.

Marketing