Hapja e kufirit me Kosovën, fluks i madh në pikën kufitare në Bllacë

Vendimi i qeverisë që qytetarët të mund të lëvizin pa PCR test ka bërë që në pikat kufitare në vend të ketë radhë të gjata. Në pikën kufitare këtu në Bllacë radha për dalje nga RMV është me qindra metra. Nuk është e vogël edhe radha për të hyrë në vendin tonë.

Marketing

Qytetarët e vendit të cilët shkojnë për në Kosovë thonë se kanë pritur me padurim hapjen e kufijve, pasi me muaj të tërë nuk i kanë parë familjarët matanë kufirit. Shtojnë se do të kujdesen për sigurinë nga virusi dhe do të respektojnë rekomandimet.

“Po kemi, nipat i kam atje dajallarët e kam atje në Kosovë”.

“Familjarë kemi, por unë dalë më shumë për qejf. Mirë është që i kanë çelë, kanë njerëzit nevoja, dikush familje atje. Besoj se do të bëhet mirë.
Shpresojmë të mbesë çelë. Nëse ruhemi ne do të kemi siguri, nëse nuk ruhemi ne nuk kemi siguri, ne vetë duhet të jemi mjek”.

“Besoj që është një vendim i duhur dhe shpresoj që njerëzit t’i respektojnë masat në mënyrë që mos na mbyllen kufijtë, të shkojmë më shpesh”.

Edhe qytetarët që hyjnë në vendin tonë thonë se në radhë të parë do të vizitojnë familjarët në Shkup, Kumanovë e vende të tjera. Sipas tyre, hapje e kufijve do të zhbllokojë bizneset që po shuhen nga pandemia.

“Ishallah nuk ndodh më të mbyllen se ashtu kështu numri as është duke u rritur e as duke u zvogëluar nëse është mbyllur ose hapur. Ato masa që i rekomandojnë institucionet shëndetësore duhet tu përmbahemi. Nëse u përmbahemi do të jetë gjithçka në rregull”.

“Shumë mirë. Ne vet duhet të kemi kujdes”.

“Ne nuk kemi lëvizur 6 – 7 muaj në Maqedoni, e normal që ka qenë e vështirë, nuk kemi komunikuar, nuk kemi punuar, se ne dalim punojmë edhe këndej prej Kosove. Gjatë periudhës së pandemisë ne nuk kemi punuar asnjë ditë në Maqedoni”.

“Kjo pjesa jemi shumë të përzier, me martesa, familje kemi, normal që mërzia është e madhe por ç’të bësh”.

Autoritetet e pikës kufitare në Bllacë thonë se fluksi i qytetarëve për të kaluar kufirin ka filluar që nga mesnata. Ndërsa dyndja më e madhe është regjistruar nga ora 9 deri në ora 11.

“Prej mesnate është startuar me vendimin e Qeverisë dhe është lejuar lëvizja e lirë pa PCR test për qytetarët e lartë përmendur. // Prej këtyre qytetarëve mendoj se fluksi më i madh është tek qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut që vizitojnë Republikën e Kosovës, ndërsa kemi një numër po ashtu edhe të Republikës së Kosovës që e vizitojnë shtetin tonë”, deklaroi Besim Asani, pika kufitare Bllacë.

Përfaqësuesit e pikës kufitare në Bllacë apelojnë tek qytetarët që dalin ose hyjnë në vendin tonë, që të respektojnë tërësish masat për mbrojtje nga korona virusi.

Marketing