Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj shprehet i bindur se asnjë qytetarë i Kosovës nuk do të ik nga vendi nëse liberalizohen vizat. Ai thotë se po bëhet fushatë e qëllimshme për me krijuar huti dhe për të penguar procesin e liberalizimit.

Në një intervistë për KosovaPress, Haradinaj deklaron se Kosova i ka përmbushur krejt kushtet e paraqitura më herët duke shprehur besimin se Këshilli i ministrave të BE-së e kalon këtë çështje.

Haradinaj thekson se po punojnë edhe për zbatimin e prioriteteve të Agjendës së Reformave Evropiane – ERA, ndërkohë, në dhjetor në Kosovë vjen komisioneri për zgjerim Johannes Hahn e po në këtë muaj është mbledhja e Këshillit të BE-së në përbërje të ministrave të brendshëm dhe të drejtësisë, takim ky jetik për Kosovën. Haradinaj thotë se po u kërkon ndihmë kryeministrave të rajonit që të lobojnë, derisa Kosova të hyj në rend dite.

Kryeministri i Kosovës thotë se krejt kjo është çështje e vullnetit politik, por sipas tij, Kosova i ka kaluar dy etapa si asnjëherë më parë në procesin e liberalizimit të vizave. Haradinaj shprehet i sigurt se asnjë njëri nuk do të ik nga Kosova. Ndryshe, Kosova është duke hyrë në pjesën më të rëndësishme të vendimmarrjes që zhvillohet në kuadër të institucioneve të BE-së, lidhur me procesin e liberalizmit të vizave.