Haradinaj deri te Vuçiq: Do të përgjigjesh për tentimet për destabilizimin e Kosovës

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj i tha sot presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq të heq dorë nga “skenari i tij i rremë për destabilizimin e Kosovës” , sepse për këtë, siç thotë, do të mbajë përgjegjësi.

Marketing

Siç informon korrespondenti i MIA-s nga Prishtina, Haradinaj përmes Tuiterit të tij, gjithashtu tha se Qeveria e tij “do t’i mbështes dhe mbroj qytetarët e saj në veri të Kosovës”.

“I dashur Aleksander Vuçiq, ju udhëzojë që të mos e zbatoni skenarin tuaj të njohur mashtrues për të destabilizuar veriun e Kosovës. Kriza e rreme ‘humanitare’, nuk do të shërbejë kurrë si mburojë për qëllime tuaja të destabilizimit, dhe ju do të jeni përgjegjës”, ka shkruar Haradinaj.

Serbët e Kosovës në katër komuna në veri të Kosovës në të cilat janë shumicë prej dje i mbyllën objektet tregtare dhe hotelerisë dhe barnatoret, me arsyetim se ka mungesë të produkteve elementare pasi Qeveria në Prishtinë, në nëntor të vitit të kaluar, ka vendosur taksë prej 100 për qind në importin nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Qeveria e Haradinajt, me mbështetje të bizneseve kosovare, dje u përgjigj me vendosjen e pikave të përkohshme të shitjes në vendet e banuara me serbë, në të cilat qytetarët mund të furnizohen me të gjitha produktet themelore.

Autoritetet e Kosovës dhe mediat në gjuhën shqipe thonë se këto veprime të udhëheqësve lokal serb, me instruksione të Beogradit dhe me logjistikën e nëntokës kriminele dhe të organizatës ilegale “Mbrojtja civile”, janë me qëllim të inskenohet krizë humanitare, që duhet të rezultojë me destabilizim të vendit.

Haradinaj javën e kaluar deklaroi se shërbimet kompetente kanë njohuri dhe dëshmi për planet e Beogradit për shkaktimin e krizës artificiale humanitare dhe se Qeveria do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që banorëve në këto zona të mos u mungojë asnjë gjë.

Marketing