Haradinaj: Do të kërkoj zyrtarisht ndihmë nga Maqedonia

Trupat e dy policëve kosovarë që pësuan aksident trafiku në rrugën Kaçanik-Han i Elezit të shtunën mbrëma, ende nuk janë gjetur. Autoritetet Kosovare me rreth 170 zyrtarë të forcave të sigurisë, në mënyrë intensive vazhdojnë kërkimin në lumin Lepenc, ku dyshohet të jenë trupat e Armend Trenës dhe Malësor Dashit. Megjithëse sot ishte lokalizuar telefoni i njërit nga policët e humbur, pikërisht në vendin ku edhe ka ndodhur aksidenti, ende nuk ka detaje të reja në lidhje me lokacionin e mundshëm të trupave të dy policëve. Në lidhje me rastin në fjalë, sot u prononcua edhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj i cili tha se ka urdhëruar intensifikimin e kërkimeve dhe se nëse nuk gjenden në Kosovë, do të bëj edhe kërkesë zyrtare për kërkim në Lumin Lepenc, në anën e Maqedonisë.

“Lartësia nga ku kanë rënë policët është shumë e madhe dhe gjendja e trupave mund të jetë jo lehtë. Në momentin që do të përmbyllim kërkimet në pjesën e Kosovës, unë ende nuk i kam bërë një kërkesë zyrtare Maqedonisë për kërkime atje por i kam bërë një kërkesë, ta quajmë më shumë miqësore që të interesohen nga ana e tyre. Por për momentin kur do të përmbyllim me kërkimin në hapësirën tonë të Kosovës, do të kërkojmë edhe zyrtarisht pra për kërkimin në pjesën e Maqedonisë”, dekalroi Ramush Haradinaj, Kryeministër.

Kërkime për dy ditë me radhë janë bërë edhe në anën e Maqedonisë përgjatë Lumit Lepenc nga një grup i përbashkët mes policisë kosovare dhe asaj maqedonase. Policia e Maqedonisë pas inspektimit të Lumit Lepenc, ka vlerësuar se trupat nuk janë në pjesën e Maqedonisë, pas çka sot u ndalën kërkimet. Ata shprehen të gatshëm që të bashkëpunojnë edhe më tutje nëse një gjë të tillë e kërkon Kosova.

Në këtë operacion janë angazhuar përveç Policisë së Kosovës, edhe FSK, zjarrfikësit dhe KFOR-i. Madje, tashmë kërkimet për gjetjen e tyre, kanë filluan edhe në territorin e Maqedonisë, ku shtrihet lumi Lepenc. Dy policët e zhdukur që ishin të ri si pjesëtarë të Policisë së Kosovës, gjatë momentit të aksidentit ishin në orar të punës. Vetura e Policisë së Kosovës, që të dy këta po e vozisnin, i përkiste tipit “Nisan”, që janë ndër veturat më të vjetra që i posedon Policia. Por, dyshimet për shkaktarin e aksidentit janë hapur në shumë drejtime.

evn