Ish –Kryeministri Isa Mustafa e cilësonte idenë e Edi Ramës dhe Aleksander Vuciqit për treg të përbashkët si të dëmshme për Kosovën. Të tillë më nuk e konsideron Qeveria Haradinaj, ndërsa Rama njoftoi se për të shkuar më tej me idenë e tij ka marrë përkrahje edhe nga kancelari austriak, Sebastian Kurz.

Viti i kaluar në Ballkanin Perëndimor u shënua me një entuziazëm të madh të presidentit serb, Aleksander Vuciq, dhe kryeministrit shqiptar, Edi Rama, për ta marrë primatin e liderëve të krejt gadishullit. Produkt i kësaj dëshire doli ideja e një tregut të përbashkët ekonomik.

Kur ishte shpalosur kjo ide, ish-kryeministri Isa Mustafa ishte shumë i pakënaqur me atë që i kishte shkuar në mend Ramës e Vuciqit. Sipas tij, kjo ide rikthente Jugosllavinë, në fushën e tregtisë e prej saj Kosova nuk do të përfitonte aspak.

U ndërrua Qeveria e Kosovës e bashkë me të edhe qëndrimi ndaj nismës për tregun e përbashkët.

Gazeta Express ka pyetur Zyrën e Kryeministrit për qëndrimin që Haradinaj ka për idenë e Ramës dhe Vuciqit. Kjo zyrë, tash me shef tjetër, nuk e sheh më si të dëmshme idenë. Madje përshëndet idetë bashkëpunuese të rajonit.

“Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për bashkëpunim rajonal dhe përshëndet idetë e shteteve fqinje. Kosova do të vendos në bazë të interesave të saj dhe mbështetur në Kushtetutën dhe në vizionin e saj për të ndjekur kursin euroatlantik”, thuhet në përgjigjen e dhënë nga Qeveria.

Për kreun e LDK’së, atëherë kryeministër, ideja e Vuciqit dhe Ramës cilësohej si e tillë që nuk sillte përfitime të njëjta për të gjithë. Madje, ky treg, sipas Mustafës, ishte një rikthim i Jugosllavisë në fushën e tregtisë.

“Një treg i ngjashëm me atë të ish-Federatës Jugosllave, pa Kroacinë e Slloveninë e me Shqipërinë, si treg i përbashkët. Jo! Ose një union doganor i Ballkanit Perëndimor, në të cilin Kosova nuk do të ketë prekje me asnjë vend të Bashkimit Evropian. Jo!”, kishte shkruar Mustafa marsin e kaluar, pas takimit të liderëve të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor në Sarajevë.

Disponim të njëjtë si Kosova për iniciativën kishte edhe Mali i Zi.

Prestigjiozja The Economist shkruante se Mali i Zi është alarmuar nga kjo ide sepse është duke avancuar në rrugën e saj drejt BE’së dhe se ka frikë që plani i ri do ta pengonte.

“Serbia dhe Shqipëria janë gati për gjithçka. Mali i Zi dhe Kosova megjithatë janë të alarmuara. Mali i Zi ka avancuar në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE dhe ka frikë se plani i ri do ta pengojë”, thuhej të në artikullin e ‘The Economist’.

Kryeministri Rama ka shkuar një hap para me planin e tij dhe të mikut të tij, Vuciqit. Ai këtë çështje e ka shtjelluar edhe në Vjenë me kancelarin austriak, Sebastian Kurz.

Sic tha Rama pas takimit me kancelarin Kurz, ai e ka mbështetjen e Austrisë për idenë e lancuar nga dyshja.

“Me kryeministrin Kurz kemi folur edhe për çfarë janë pritshmëritë tona nga Presidenca austriake e Bashkimit Evropian në 6 muajt e ardhshëm dhe dëshirojmë që të bashkëpunojmë për të shtyrë më tutje projektin tonë, të lansuar nga unë dhe presidenti i sotëm i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për tregun e përbashkët në Ballkanin Perëndimor, gjë për të cilën jam falënderues që kryeministri Kurz ka shprehur interesin dhe mbështetjen e tij”, tha Rama. /Express/