Haradinaj i drejtohet Kushtetueses: S’guxoj ta lë vendin në kaos derisa të zgjedhet qeveria

Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, ka dorëzuar sot gjatë ditës në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë për interpretim se si duhet të vazhdohet tutje në situatën e krijuar politike pas dorëheqjes së tij.

Marketing

“Kam dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë për interpretim të dorëheqjes time – a nënkupton kjo dorëheqje edhe një kujdestari qeverisëse? Edhe pse Zyra Ligjore pranë Kryeministrisë e ka vlerësuar kështu në bazë të interpretimeve dhe praktikave të mëhershme, por që të jem në anën e ligjit e kam dorëzuar kërkesën në Gjykatën Kushtetuese”.

“Nuk është se jeta ndalet krejtësisht në këtë periudhë kohore. Mirëpo, e shoh një dëshirë që të përzihen temat”.
“Unë kam dhënë dorëheqje dhe një qeveri duhet të dalë nga zgjedhjet, por derisa të vijë ajo qeveri kush mban përgjegjësi për qeverisjen në vend? Këtë përgjigje nuk po e jep askush”.

“Unë nuk guxoj ta lë vendin në kaos derisa të zgjedhet një qeveri tjetër. Për këtë arsye i jam drejtuar edhe Gjykatës Kushtetuese”.

Haradinaj në një konferencë për media i ka siguruar qytetarët që nuk do të krijohet vakum institucional.
Ai ka thënë se Gjykatës Kushtetuese i është drejtuar në cilësinë e kryeministrit të dorëhequr.

“Akti i dorëheqjes është vendim i kryeministrit që ka qenë në detyrë. Dorëheqja është vendim dhe i jemi drejtuar Gjykatës Kushtetesë që ta vlerësojë se çfarë nënkupton kjo pastaj – a ka kujdestari qeverisëse ose jo?”.

Kryeministri në dorëheqje ka thënë se ka kërkuar nga presidenti, Kuvendi i Kosovës dhe partitë politike që t’i ndërmarrin veprimet e duhura që të shpallen zgjedhjet në afatin e rregullt kohor.

“Vet personalisht dhe partia që udhëheq e mbështesim shpërbërjen e Kuvendit çdo ditë. Kurdo që mund të thirret një seancë për shpërbërje nëse kjo e përshpejton procesin e mbajtjes së zgjedhjeve”.

Ai ka mohuar se kërkesa që i ka drejtuar Gjykatës Kushtetuese është bërë për të fituar në kohë për zgjedhjet e parakohshme.
“Kjo bëhet për të krijuar shembull edhe për herët e ardhshme. Kushtetuta jonë nuk e ka precizuar se çfarë ndodh kur kryeministri jep dorëheqje”.

“Këtë pyetje nuk e bëj vetëm për këtë herë sepse Kosovës do t’i ndodhë që ndonjë kryeministër të japë dorëheqje. Duhet të ketë një kuadër ligjor se si vazhdon qeverisja më pas”

Marketing