Haradinaj insiston në zgjedhje, kërkon shpërbërjen e Kuvendit

Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj pas dorëzimit të kërkesës për interpretim të dorëheqjes në Gjykatën Kushtetuese, deklaroi se Kosova nuk duhet të humbë asnjë ditë më shumë për të caktuar datën e zgjedhjeve të reja, teksa nuk e ka mohuar si mundësi të përdorin edhe shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës.

Marketing

Ai në një konferencë për media bëri të ditur se gjatë ditës së nesërme do t’i ftojë në takim për të diskutuar për situatën politike kryetarin e PDK-së Kadri Veseli dhe atë të Nisma, Fatmir Limaj, teksa ironizoi se do të flasin dhe për “ngrohjen globale”.

Haradinaj theksoi se janë në pritje të thirrjes së presidentit Hashim Thaçi për konsultat me partitë politike për datën e zgjedhjeve, derisa bëri dhe thirrje që mos të zvarritet si proces.

Haradinaj: Kam kërkuar që të përkrahet shpërndarja e Kuvendit
“Unë kam kërkuar prej grupit tonë parlamentar, prej nënkryetarit tonë Ahmet Isufi që të filloj konsultat me grupet tjerat parlamentare për të përkrahur shpërndarjen e Kuvendit tani. Pra, për të mos vonuar shkuarjen në zgjedhje, presidenti ka paralajmëruar, por ende nuk kemi marr ftesë zyrtare për takim. Mirë është të respektojmë afatet kohore… Të merren veprimet për mbajtjen e zgjedhjeve menjëherë. Nuk është mirë të humbet asnjë ditë për dhënien e drejtës së qytetarëve për t’u përcaktuar për qeverinë dhe parlamentin e ardhshëm. Ka një vullnet për të shkuar në zgjedhje. Kësi soji është një rast unik që të gjithë jemi dakord për të shkuar në zgjedhje pozitë-opozitë”, tha Haradinaj.

Për mos diskutimin me liderët e tjerë institucional për dorëheqjen e tij, Haradinaj tha se pavarësisht kësaj njoftimin për këtë e ka bërë në vendin dhe kohën e duhur.

Haradinaj: Kam ftuar për nesër për diskutim Veselin dhe Limajn

“E kam ftuar për nesër edhe kryetarin Veseli dhe kryetarin Limaj, dhe kolegët tjerë të koalicionit për një konsultë, ‘për ngrohjen globale’. Shikoni, ne kohë pas kohe takohemi. Është një praktikë e rregullt”, tha Haradinaj.

Ai theksoi se vendimi për dorëheqje nuk ka qenë kalkulim politik, por për të forcuar pozitën e Kosovës.

Haradinaj: Le t’i bin dhe këta veti dhe unë po i pranoj kalkulim politik

“S’e di kalkulim politik dhe me i ra veti. S’po di qysh të jepet dorëheqja. Le t’i bien dhe këta vetes, dhe unë po e pranoj kalkulimin politik. Shikoni teorinë e parë, e lëshoi Vuçiqi, ai e lëshoi se e diti që është fuqizuar Kosova dhe tha se është kalkulim politik, manovrim politik, mashtrim politik. I njëjti njeri që s’po bën drejtësi për vëllezërit Bytyqi e që i ka ndodhur brenda institucionit krimi gjithë ditën e gjatë, i ka tabloidet e veta kundër meje. Nëse këto janë kalkulime politike, unë nuk i kuptoj shumicën që gjykojnë kështu. Kalkulim politik është, por jo në raport me forcat e brendshme. Por në raport me të drejtën e Kosovës. Nuk kam guxuar të dobësoj shtetin e Kosovës”, tha Haradinaj.

Për kërkesën për interpretim të dorëheqjes në Gjykatën Kushtetuese, Haradinaj u shpreh se është bërë për të qartësuar pozitën e tij, teksa tha se nuk ka asnjë interes që të kthehet në zyrat e të parit të Qeverisë, por shkon pasi mban përgjegjësi për t’iu shmangur vakumit institucional.

Haradinaj: Nuk kam interes që pas dorëheqjes të vij në Qeveri

“Si kryetar i Qeverisë, nuk kam interes që pas dorëheqjes të vij në zyrën e Qeverisë, as nuk vij se është më fllad, por vij se mbaj përgjegjësi. Derisa dikush nuk e merr këtë punë, për të mos pasur vakum qeverisës”, tha ai pas takimit me bashkatdhetarët që jetojnë në diasporë.

Në cilësinë e të parit të AAK-së, Haradinaj tha se si parti momentalisht pritet të garojnë vetë në zgjedhjet e reja, por nuk e mohoi që të lidhë ndonjë koalicion parazgjedhor me parti tjera.

Marketing