Në Prekaz është zhvilluar koncerti për Natën e Zjarreve në kuadër të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në një fjalë rasti ka thënë se duhet të mbahet ndezur zjarri për liri dhe bashkim kombëtar.

“Sot në Natën e Zjarreve të premtojnë se do ta mbajmë ndezur zjarrin për liri dhe bashkim kombëtar, ka thënë Haradinaj”.

“Të gjithë ata që e ndjekin koncertin e sotëm në natën përmbyllëse në Natën e Zjarreve, kam nderin t’ju drejtohem nga këtu si bashkëluftëtar dikur, të shprehim respektin për sakrificën sublime për heroizmin e familjes Jashari, për simbolin tonë qëndresës e lirisë, e sonte në Natën e Zjarreve të premtojmë që do ta mbajmë të ndezur zjarrin për liri e për bashkim kombëtar. Lavdi heronjve”, tha Haradinaj.

Ndryshe, sonte në Prekaz është ndezur flakadani për Natën e Zjarreve dhe është mbajtur një koncert në nderim të 23-vjetorit të Epopesë së lavdishme të UÇK-së, rënies së komandantit legjendar të UÇK-së Adem Jashari dhe familjes së tij në një luftë skajshmërish të pabarabartë.