Haradinaj në Shkup në fillim të shtatorit

Edhe pse disa herë është paralajmëruar mbajtja e seancës së përbashkët mes Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, e njëjta ende nuk ka ndodhur. Fillimisht, më 3 tetor të vitit 2017, në një takim të përbashkët midis zëvendëskryeministrit Bujar Osmani dhe atij të Kosovës, Behgjet Pacolli ishte dakorduar mbajtja e mbledhjes së përbashkët, por pa caktuar kohën se kur do të ndodh ajo.

Marketing

Po ashtu, edhe më 25 tetor të 2017, në takimin e shefit të diplomacisë së Kosovës, Pacolli me homologun e tij Nikolla Dimitrov në Shkup ishte dakorduar që mbledhje e përbashkët e dy qeverive të mbahet gjatë vitit 2018, por që përsëri nuk është mbajtur.

Së fundmi, Qeveria në seancën e 139-të të saj ka aprovuar vendimin për mbajtje të seancës së përbashkët ndërqeveritare me Qeverinë e Republikës së Kosovës. Seanca do të mbahet në Shkup, ndërsa siç informon për gazetën KOHA, zëdhënësi i Qeverisë, Muhamed Hoxha, datën duhet ta caktojnë kryeministrat e dy vendeve, Zoran Zaev dhe Ramush Haradinaj, në pajtim me agjendat e tyre.

“Në kuadër të përgatitjeve për mbledhjen janë duke rrjedhur bisedime për definimin e bashkëpunimeve mes dy vendeve, në disa sfera edhe atë: transport dhe infrastrukturë, tregti dhe zhvillim ekonomik, bashkëpunimi me diasporën, punët e brendshme, drejtësinë, bujqësinë, pylltarinë dhe ekonominë e ujërave, shëndetësinë, kulturën, arsimin”, deklaroi Hoxha.

Gazeta KOHA mëson se deri në caktimin e datës për mbajtjen e mbledhjes së përbashkët mes dy qeverive, të gjitha aktivitetet do ti koordinojë Bujar Osmani dhe Dhurata Hoxha nga pala kosovare. Ndërkohë që janë harmonizuar qëndrimet rreth të gjitha Marrëveshjeve që duhet të nënshkruhen në këtë seancë qeveritare. Mbledhja ndërqeveritare pritet të mbahet deri në fund të muajit gusht eventualisht në fillim të muajit shtator.

Nga ana tjetër, Qeveria e Maqedonisë së Veriut dhe ajo e Shqipërisë më 15 dhjetor të vitit 2017 kanë mbajtur një mbledhje të përbashkët në Pogradec e cila u vlerësua si një kapitull i ri në marrëdhëniet midis dy vendeve, ndërsa kryeministri shqiptar Edi Rama shprehu mbështetje të fuqishme për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO. Por, edhe pse u paralajmërua se njëjta do të mbahet edhe në Shkup, ende nuk ka ndodhur një mbledhje e tillë.

“Komunikimet vazhdojnë me Qeverinë shqiptare. Në momentin që do të krijohen kushtet e njëjta, mbledhje do të mbahet edhe në Shkup. Por, ndërkohë duhet shqyrtuar agjenda e asaj mbledhje, marrëveshjet që do të nënshkruhen etj”, thonë për gazetën KOHA nga Qeveria. Përndryshe, takimet e tilla, ndërqeveritare synojnë bashkëpunimin më të madh rajonal në aspiratat euro-atlantike të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Marketing