Kryeministri në detyrë i Kosovës Ramush Haradinaj është paraqitur këtë të mërkurë në Hagë pranë Prokurorisë Speciale për Krime Lufte në Kosovë, për t‘u marre në pyetje, por Haradinaj ka zgjedhur të mos i përgjigjet asnjë pyetjeje .

RAMUSH HARADINAJ
KRYEMINISTER I DOREHEQUR I KOSOVES

Jam paraqitur para gjykatës por nuk i jam përgjigjur asnjë pyetje pasin nuk e di per cfare jam thirrur. Nuk di materien e saktë se përse jam ftuar për tu marrë në pyetje.. Kam bere obligimin tim ligjor, kam respektuar ligjin kombetar. Doreheqja ka te beje me nocionin e shtetit dhe sovranitetit. Kam dale këtu në gjykate si qytetar i lirë.

Edhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi, ish-zëdhënës i UÇK-së, u paraqit pranë Prokurorisë Speciale. Kërkesë për paraqitje kanë marrë gjithashtu ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Bislim Zyrapi, ish-anëtari i këtij shtabi, Sokol Bashota, ish-shefi i një zone operative, Shukri Buja, e të tjerë.

Haradinaj udhëtoi drejt Hagës, të martën, katër ditë pasi dha dorëheqjen nga posti i kryeministrit të Kosovës.

Prokuroria Speciale është një nga dy dhomat e Gjykatës Speciale që trajton pretendimet për përfshirjen e ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime të luftës, në periudhën 1998-2000.

Haradinaj ka qenë komandant i UÇK-së dhe kjo është hera e dytë që ai jep dorëheqje nga pozita e kryeministrit për t’u përballur me drejtësinë në Hagë.

Hera e parë ka ndodhur në vitin 2005, kur është akuzuar për krime lufte nga Tribunali Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.

Haradinaj është liruar dy herë nga akuzat që lidhen me luftën: në vitin 2008 dhe pastaj më 2012.

Prokuroria Speciale, nga janari i këtij viti, ka intervistuar dhjetëra ish-luftëtarë, por Haradinaj është zyrtari më i lartë i ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe të institucioneve të Kosovës që merret në pyetje nga hetuesit.