Kryeministri Ramush Haradinaj, ka pritur një delegacion të Kongresit Amerikan të udhëhequr nga senatori Ron Johnson.
Në këtë takim është biseduar për aktualitetin politik dhe zhvillimor të Kosovës dhe partneritetin strategjik ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve.

Senatori amerikan Ron Johnson, ka falënderuar kryeministrin për pritjen, duke vlerësuar progresin e Kosovës dhe gatishmërinë e ShBA-ve për përkrahjen e Kosovës në proceset integruese dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.

Numri një i qeverisë e ka njoftuar senatorin për prioritetet e Qeverisë, progresin në fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit, përmbushjen e obligimeve në rrugën euroatlantike, për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, avancimin e procesit të reformave të gjithanshme të cilat do të ndikojnë në përmirësimin e mirëqenies së përgjithshme të qytetarëve.

“Marrëdhëniet bilaterale miqësore ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë treguesi më i mirë se Kosova dhe populli i saj janë përjetësisht falënderues për kontributin e shtetit mik në zhvillimin e gjithanshëm të shtetit tonë dhe të përkushtuar që ky partneritet të jetë i përjetshëm”, tha Haradinaj.

“Ai shtoi se Kosova është e përkushtuar për ndërtimin e relacioneve të mira ndërfqinjësore me të gjitha shtetet e rajonit për të kontribuar në paqe dhe stabilitetin rajonal dhe më gjerë dhe në arritjen e paqes finale me Serbinë.”

Në takim është biseduar edhe për procesin e tranzicionit të FSK-së në Ushtri, liberalizimin e vizave, anëtarësimin në INTERPOL dhe dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, me ç’rast kryeministri Haradinaj ka thënë se përkrahja e ShBA-ve është e domosdoshme në avancimin e këtyre proceseve.

Senatori Ron Johnson u dekorua me medaljen e Skënderbeut, në shenjë mirënjohje për kontributit të tij dhënë Kosovës.