Nga: Ndriçim Kulla

Çdo të bëhej me stërnipat e Skënderbeut? Do të shqelmoheshin në errësirën e historisë, apo do të ringriheshin me një forcë të re? Rrotull tyre të tjerët me kohë kishin hartuar planet për t’i gllabëruar? Osirisi egjiptian në pranverën e lulëzuar ringjallej. A do të ecnin ata në gjurmët e tij? Këto ishin pyetjet që koha shtronte atëherë përpara elitës shqiptare.

Hasan Tahsini ka meritën e pashlyeshme se në zemrën e Perandorisë osmane, ndoshta më parë se të tjerët e kuptoi se një popull përpara se të fitojë pavarësinë, duhet të jetë i pasur me ndërgjegje, pa të cilën asnjë ndjenjë lirie nuk zgjohet dhe pa të cilën nuk ka atdhe. “Tahsini nuk e pranoi kurrë parrullën perandorake romake ‘Ubi bene, ibi patria’, parrullë sipas së cilës pasuria njehësohet me atdheun. Përkundrazi, dashurinë për atdheun ai e konsideron si dashurinë më të vërtetë, sado i varfër të jetë atdheu”.

Si shkencëtar dhe dijepërhapës enciklopedist, Tahsini është një figurë që edhe sot, pas 200 vjetësh nuk është përsëdytur, në përmasa të tilla, në historinë e kulturës shqiptare. I formuar fillimisht si hoxhë, me dije dhe kulturë islame lindore, mbiformohet me dijet dhe shkencat perëndimore evropiane, pikërisht, në Universitetin e Sorbonës, në Paris të Francës, një nga universitetet më të përparuar e më të njohur të kohës, duke punuar disa vjet në Observatorin e vëzhgimeve të kozmosit, veprat e tij, Historia e qenies ose e krijimit, ndër dijet më të vështira, të abstraksioneve më të lartë, Sekretet e ujit dhe të ajrit apo Psikologjia, të gjetura, dhe të tjera të humbura, janë përpunime dhe përhapje e dijeve filozofike, shkencave të natyrës, të matematikës, astronomisë apo psikologjisë, në gjirin lindor të Perandorisë Osmane. Ndër ne, – ka shkruar Sami Frashëri, – gjenden dijetarë në lëmin e dijeve antike dhe në lëmin e dijeve të reja, po nuk gjenden njerëz që të zotërojnë së bashku këto dy grupe, janë shumë të paktë. Hoxhë Tahsini është në krye të këtyre dijetarëve të rrallë. Ai, përveçse zotëronte së bashku dijet edhe shkencat e këtyre dy grupeve, po nuk kishte as shembëllim. Prandaj unë besoj se njerëzit tanë të ditur, intelektualët, nuk do të preken kur do të mëtojnë që në atdheun tonë në këtë qindvjeçar titullin ‘savant’, i ditur, nuk e meriton askush tjetër, përveç Hasan Tahsinit”.

I ndodhur në pikën kohore nyje të afrimit të shkollave të Lindjes me ato të Perëndimit, Hasan Tahsini nisi të gjejë përbërësit plotësues dhe të përpunojë ndërkomunikimin mes tyre, duke i ngritur vlerat e secilës në rrafshin universal. Përpjekjet për t’i afruar dhe ndërfutur, integruar këto dy kultura, e zgjerojnë mjaft përmasën universale me një lëndë të thellë humanizmi mbarënjerëzor. Në shtator të vitit 1869, Hasan Tahsini u emërua në detyrën e një nëpunësi të lartë të shtetit osman, si rektor i parë i Universitetit të Stambollit. Ai që në fillim u përpoq dhe në sajë të një pune të shumanshme e vendosi universitetin mbi themele shkencore. Puna e tij e madhe organizative, ligjëratat shkencore që mbajti, veprat që shkroi,bashkëpunëtorët që afroi në universitet, programet bazë që hartoi për këtë tempull të dijes, si dhe plani i temave që do të mbaheshin gjatë pushimeve në konferenca diturie për studentët dhe qytetarët e thjeshtë, janë dëshmia më e qartë e nivelit dhe thelbit të tij dije-përhapës iluminist.

Për këtë arsye, Hasan Tahsini është nga ata heronjtë e mendimit, që ngjan si dy pika uji sa me dijetarët arabë të mesjetës, ashtu dhe me dijetarët dhe filozofët iluministë francezë të shekullit të vet. Aq më tepër që ai ka qenë doktor në jurisprudencën islame, por zotëronte njëherësh edhe dy doktorata të tjera në Paris në shkencat fizike dhe natyrore. Pra, një pinjoll i Lindjes, që priret kah mendësisë së Perëndimit, me qasjen e vet origjinale intelektuale ndaj kësaj kulture. Shekulli XIX në Ballkan është shekulli i kombeve dhe kombi shqiptar kishte nevojë për udhëheqje të virtytshme, për karaktere të fuqishëm. Traditat e vendit, rrethanat ku ai gjendej dhe “dritat” franceze që kishin filluar të depërtonin edhe në perandorinë osmane, i bënin thirrje mendjes së tij për të shqelmuar mendësinë e vjetër. Në Paris, për mbi dhjetë vjet me vullnetin e tij të çeliktë, ai u bë përçuesi i vetëdijes së barazisë, lirisë dhe drejtësisë, duke mbetur fare mirë fetar, por aspak fanatik banal.Këtu ai arriti në përfundimin se fetë venë e vijnë, por kombet mbeten. E përsiatur me gjendjen shqiptare, ky parim, sipas tij, paraqitej si një epërsi e tyre karshi fqinjëve, për të cilët feja ishte edhe kombësi, ndërkohë që për shqiptarët, megjithëse analfabetë, feja kishte mbetur vetjake, kombi i tyre ishte mbi gjithçka.

Vetë historia e feve dhe studimi i “dritave” e kishte bindur rilindasin tonë që të përqafonte Deizmin, botëkuptimin filozofik, sipas të cilit Perëndia pasi ka krijuar botën nuk pranon më të ndërhyjë në punët e saj, natyrë apo shoqëri, pasi ajo i ka hartuar njëherë e mirë ligjet themelore, me të tjerat le të merren vetë njerëzit. Kjo rrymë filozofike shigjetat i drejtonte kundër monarkisë absolute, bartësit e të cilit nuk pushonin së thirruri edhe me shkrim se zanafilla e tyre i përkiste hyjnive dhe jo majmunëve, siç ngjiste me njerëzit e djersës, turq, shqiptarë, kaurë heretikë. Deizmi theksonte se shoqëria njerëzore, herë pas here, ka nevojë për ligje, të domosdoshme për shkak të vetë kërkesave objektive të saj, të realizuara me ndihmën e arsyes, e vetmja perëndi mbi tokë. I ndihmuar kështu nga kjo filozofi dhe nga shkenca, Tahsini u shndërrua në tolerant dhe iluminist largpamës. Në këtë pikëpamje, s’do të qe keq të shtojmë edhe idenë e Nolit, që besonte se në lëvizjen kombëtare shqiptare prijësin ideologjik do ta bëjë iluminizmi francez, i cili përqafoi teorinë dhe praktikën e një shteti të bazuar në një kombësi me kulturë dhe gjuhë të përbashkët, jo me një fe dhe mbret absolut. Nisur nga ky përcaktim,Tahsini do të qe i pari prej aradhës së iluministëve shqiptarë që do të ndriçonin Rilindjen. Por ajo çka e dallon mendimin e këtij autori është se ai ishte mëse i vetëdijshëm se vetëm virtyti i kthente Heraklinjtë mitologjikë në historikë. Virtyti e shtyn njeriun që e mëshiron të dëshirojë çka është historikisht e domosdoshme, e ti largohet çdo aventure. Pa virtyt nuk ka veprim moral, virtyti është fuqi, solidaritet, është themeli i bukurisë dhe madhështisë.

Po ç’kuptonte ai vallë me virtyt, një nocion aq i debatuar që në lashtësi. Për të virtyti është aftësia njerëzore për të bërë të mirën dhe për të luftuar ligësinë, është trimëria, çiltërsia, burrëria, ndershmëria, dashuria për çështje sublime, siç është ajo e atdheut. “Mehdi Frashëri na tregon se Tahsini ishte i pajisur me të gjitha këto cilësi. Kjo e bindte të mos shqetësohej për tradhëtinë e mendjeve të ulëta, ai mbështetej në kurajën qytetare, morale, një virtyt që e mposht gjithmonë poshtërsinë. Nëpërmjet kulturës që ua transmetonte edhe të tjerëve me jetën plot nivel njerëzor që bënte dhe për moralin që mëshironte,Hasan Tahsini u kthye në një ideal shpirtëror për popullin e vet”.  Sipas Hegelit, “virtyti qëndron në substancën shpirtërore të një populli, pasuri e veçantë drejt qytetërimit, por edhe të çdo individi që i vë detyrë vetes arritjen e një ideali jo vetëm për të mbijetuar, por edhe për të ecur drejt qytetërimit.”(307) Ky aspekt i qytetërimit është kontributi më i madh që mendimi erudit i këtij rilindasi dha në qerthullin iluminist të Rilindjes kombëtare. Vetëm një mendje e shëndoshë humaniste, plot pasion për të parë qytetërimin në vendin e vet mund të sillej kështu në ato kohë të egra për çdo iluminist që shkruante dhe rronte në zemër të osmanizmit.

Kjo trajektore mendimi që nis me Tahsinin gjen një pikë tjetër mbështetjeje në rrethin e klerikëve myslimanë me Fe rrëfenjësen e Said Najdenit (Hoxhë Vokës), shkruar në vitin 1900. Nga titulli duket se ky libërth është shkruar vetëm në funksion të fesë, por nga përmbajtja ndihen fort themelet e çështjes kombëtare. Si deist i mirëfilltë, autori nënvizon se pavarësisht se Zoti është i madh, dëshira e tij është që njeriu të mos presë gjithçka prej tij. Shqiptari i vërtetë duhet të djerësitet për atdheun e vet. Njerëzit njihen nga puna me vlerën që kryejnë, ajo i gllabëron dhe i nderon ata.“Pse Shtetet e Bashkuara të Amerikës Veriore”, pyet ai, “kanë shkuar me shpejtësi kaq përpara? Vetëm se qytetarët e tyre kanë djersitur dhe nuk kanë nderë dorën për të lypur. Ndryshe nuk mund të ktheheshin nga një tokë e egër në pjellorë e të lulëzuar” . Ai thekson se atdheu i tij nuk ka nevojë vetëm për fe, por edhe për përparimin e gjithanshëm material të lidhur me diturinë. Të gjithë ata që mendojnë se dituria është kundër fesë janë armiq të këqinj të këtij vendi. Nga dituria vetëm e mira vjen. Një vend i begatë materialisht dhe shpirtërisht u përgjigjet armiqve po me ato armë. “Lëkurëkuqtë amerikanë u mundën sepse jetonin nëepokën e gurit, ndërsa kundërshtarët e tyre, në atë të armëve të zjarrit e të topave”. (po aty)

Sait Najdeni mendonte se Atdheu dhe njeriu është mbi gjithçka. Si islamin ashtu dhe krishtërimin, ai i shikonte si besime që domosdo i zbusin njerëzit, i bëjnë të ndershëm, modestë e të sjellshëm. Sipas tij, njeriu ka nevojë edhe për një pedagogji morale tjetër, sepse kujdesjet e familjes dhe të shtetit nuk mjaftojnë. Besimi i vërtetë fetar çon në ringjallje të thellë shpirtërore, në të mirë të virtyteve qytetare e kombëtare. Njeriu nuk mund të jetë fetar dhe egoist njëkohësisht. Fanatizmi fetar apo laik përdhos gjithçka. Një komb mund të dalë fitimtar për një kohë, por vetëm virtytet e mbajnë gjallë përgjithnjë.

Po të sjellim në vëmendje kohën në të cilën shkruante, vepronte dhe predikonte, ky dibran që jetoi vetëm 39 vjet, do ta vlerësojmë akoma dhe më tepër origjinalitetin e mendimit të tij.

Një tjetër përbërës madhor i këtij qerthulli iluminizmi, në mos më i madhi dhe më kontribuesi, ishte Sami Frashëri. E kjo nuk duhet parë vetëm në veprën e tij manifest të vitit 1899, në atë program sintetik, në atë strategji dhe taktikë të lëvizjes kombëtare të kohës, siç ështëShqipëria ç’ka qenë ç’është e ç’do të bëhet,por shumë më parë, në Fjalorin e shkencave (Kumus al’Alam) ose ndryshe Enciklopedia e gjeografisë dhe historisë, të botuar midis viteve 1889-1895, një vepër goxha e vëllimshme me 4830 faqe, për të cilën ai punoi intensivisht për plot 12 vite e për të cilën mund të quhet me plot të drejtë “Volteri shqiptar”. Nëse bëjmë një shqyrtim të përshkrimit të termave të këtij fjalori, do të gjejmë se ai është bazuar në kulturën e tij erudite, por edhe se është ndikuar shumë nga iluminizmi francez.

Sipas mendjes së Samiut, pavarësisht nga zigzaget dhe regreset, qytetërimi ka ecur pa u ndalur dhe shoqëria që nuk i përshtatet këtij përparimi të përgjithshëm mbetet prapa, ndërkohë që shoqëritë e tjera përparojnë dhe të shkosh përpara do të thotë t’i afrohesh së vërtetës e lumturisë. Ai vëren me forcë, se pasuria, idetë morale dhe shpirtërore, mund të realizohen vetëm me arsim. Aludimi për atdheun e vet është i qartë, ndaj ai shton: “Një komb për të shpëtuar nga prapambetja, nuk duhet të kënaqet nga gjendja e tanishme, por duhet të përpiqet gjithmonë të përparojë”. (309) Nga ana tjetër, zhvillimin e qytetërimit dhe të shkencave ai e lidh ngushtë me luftën politike dhe shoqërore të një populli. Fitorja e kësaj lufte i hap më pas rrugë të reja zhvillimit të mëtejshëm të qytetërimit. P.sh. duke trajtuar qytetërimin e lashtë grek, ai shpjegon se për të rëndësi vendimtare pati lufta për demokraci dhe republikë. Ajo e bëri Athinën mesin e botës së qytetëruar të asaj kohe.

Në mënyrë të veçantë iluministi shqiptar jep edhe ndryshimin midis qytetërimit grek dhe atij të lashtë lindor. “Filozofët grekë e qëruan diturinë nga pallavrat e besës së asaj kohe… qe i pari Thalesi ai që e shqeu cipën e besës që mbulonte urtësinë, duke e treguar atë ashtu të bukur e lakuriqe siç është në të vërtetë”.  Pohim ky krejt i kthjellët, të cilin vetëm një iluminist i madh mund ta shprehte kaq shkoqur. Si kudo, edhe në Greqinë e asaj kohe, forca penguese ishte fanatizmi. Ai e kishte të qartë se fanatizmi, pavarësisht nga format që merr, laike apo fetare, si në lashtësi ashtu dhe në ditët tona, ishte përpjekur të gjykonte për të tashmen me syrin e së kaluarës. Megjithatë, sipas mendimit të prerë të Samiut “ urtësia nuk mbytej, por sa vinte e shtohej”. Ky mendim mbi rolin negativ të fanatizmit në zhvillimin e qytetërimit botëror është tepër i ngjashëm me parrullën e Volterit “Ecrasez l’infame”. Këtë problem iluministët e zgjidhën duke qenë të bindur se po bënin një revolucion në mendjet e njerëzve të epokës ku jetonin. Këtë shpresë kishte dhe Sami Frashëri për të ardhmen e popullit të vet.

Sipas tij, qytetërimi e ka arritur kulmin e vet me filozofinë franceze të shekullit XVIII. “Kjo është qytetëri e vërtetë, e përgjithshme dhe e pavdekur, lum ata kombe që janë ndritur e përparojnë të ngrihen në këtë qytetëri. Ky qytetërim është pa anë e pa fund, ai shtohet çdo orë e çdo ditë, e do të mbulojë gjithë dheun e do të ndriçojë gjithë kombet e dheut”. (311)Po kaq i drejtë është edhe koncepti i tij për burimin e qytetërimit, të cilin nuk e gjen kryesisht te klasat e larta, porte punonjësit, te produkti i tyre dhe tek intelektualët krijonjës. “Ai gjeti për të parën herë qysh mbillet e korret gruri, qysh tirret leshi, etj. Punonjësit krijues vunë gurin e parë të qytetërimit, që atëherë e tëhu qytetaria ka vajtur gjithnjë përpara, herë me vrap e herë ngadalë”.  Mendim ky identik me atë të Volterit, i cili shkruan: “Janë dashur të ekzistojnë farkëtarët, karpentierët, muratorët, bujqit, para se të ekzistonte një njeri që të kishte kohë për t’u marrë me mendime të thella d.m.th. filozofi, shkencë, art, etj.”

I goditur është edhe përcaktimi i qytetërimit si një mënyrë jetese e njeriut, dhe kjo jo vetëm në kuptimin shpirtëror, por edhe material. Ai me të drejtë nuk quan kulturë vetëm lëndët shoqërore dhe artistike, por edhe ato teknike. Në artikullin Qytetaria ai përshëndet industrializimin kapitalist si një dukuri që do t’i sjellë të mira njerëzimit. Madje, shpjegon se “rruga e zhvillimit kapitalist evropian dhe amerikan ishte për të shumë më e leverdisshme nga pikëpamja e zhvillimit të pandërprerë të qytetërimit, se sa ajo e feudalizmit ushtarak osman”.

Një meritë tjetër e Samiut në shpjegimin e qytetërimit botëror është edhe koncepti që ky i fundit kalon nëpër çdo pupull, sipas kushteve historike më të volitshme. Ai nuk njeh as racë, as kombësi të zgjedhur. Me këtë shpjegim shfaqet krejt zhveshur nga çdo diskriminim racial, por dhe tepër afër me mendimin iluminist të Monteskjesë, i cili shprehet kështu në veprën Mendime dhe fragmente të pabotuara se “vendet duhen parë siç janë, po njëlloj duhet të vështrohen të gjithë popujt e Evropës, me të njëjtën vlerë, si dhe popujt e ndryshëm të Madagaskarit”.

Shkenca për iluministët e mëdhenj, ashtu si dhe për vetë Sami Frashërin ishte një forcë e jashtëzakonshme transformuese për popujt. Një gjë të tillë ai e theksonte sidomos për shqiptarët. Në qoftë se ka diçka për të cilën ata duhet të interesohen, është pikërisht shkenca dhe qytetërimi. Madje për njerëzit e shkencës, ai do të shprehej se janë vëllezër kudo që janë, sado pjesëtarë të kombeve e racave të ndryshme të jenë. Ky nocion i të qenit “vëllezër në shkencë” është aq i përparuar sa na shfaqet kaq modern edhe në ditët e sotme.

Pasi vëren se egërsia është foshnjëria e njerëzve, ai shkruan: “Për vendin tonë …që s’jemi të egërë, lëvdatë i qoftë Perëndisë, e dimë, por të qytetëruar jemi apo barbarë, këtë duhet ta zgjidhim… jemi gjysmë barbarë dhe udha që kemi për të marrë gjersa të arrijmë në qytetari është shumë më e gjatë se udha që na ka nxjerrë nga barbaria”.(316) Fjalët e fundit për kohën që u dashka për të dalë nga prapambetja e gjithanshme, rezultuan të jenë një parashikim gjenial. Nga të gjitha këto mendime mbi qytetërimin botëror dhe rolin e tij në jetën e kombeve që ai shfaq e shtjellon, na del se Sami Frashëri nuk ishte aspak një filozof kabineti, që i ka vënë detyrë vetes të sodisë e të shpjegojë botën përreth, por njeri me dinjitet të lartë moral, vërtet të virtytshëm, që kishte marrë përsipër të ngrinte në shpatullat e tij peshën e rëndë të ndryshimit të shoqërisë shqiptare nëpërmjet arsimit, shkencës, punës së lodhshme dhe luftës vetëmohuese të një populli. Në veprën Vdekja e Cezarit, Volteri shkruan se një atdhetar i vërtetë “at e bir ka mbi të gjitha virtytin, ligjet dhe atdheun e vet”.  Për Sami Frashërin ky ishte ideali i jetës dhe veprimtarisë. Jo më kot në Fjalorin e Shkencave ai u kushton një vend të posaçëm iluministëve francezë Volter dhe Ruso, si natyra të mëdha njerëzore. “Shekulli XVIII është një pranverë e luleve të çelura nga këta dy mendimtarë dhe shekulli XIX ka filluar të mbledhë frytet e atyre luleve.A ishin ata të një mendimi, të një parimi? Absolutisht jo. Por Volteri dhe Rusoi nuk janë dy persona të veçantë, por dy forca të mishëruara, dy mendime të personifikuara. Këta vallë i shpikën hekurudhat, avulloret, telegrafin dhe makineritë e ndryshme? Jo, por ata hodhën nga një shkëndijë zjarri derisa drita arriti të shfaqej kudo nëpër botë nga fara që mbollën të dy”.  Shihet qartë që iluministi ynë u jep një rëndësi të jashtëzakonshme ideve dritëdhënëse, janë ato që bëjnë revolucionin, shpikjet e ndryshme teknike vijnë pas tyre së bashku me evolucionin e gjithanshëm. Të këtilla janë pasojat e revolucionit mendor pas një shtrëngate të fuqishme fitimtare, shtrëngatë që ai uronte të përfshinte edhe atdheun e tij. Nëse Volterit nuk i bënte përshtypje të veçantë forma e rregjimit politik, mjaft që ligji të ishte në fuqi e të zbatohej me përpikmëri, Rusoi ishte një republikan i vendosur.Samiu jo më kot ishte ithtar i këtij mendimi, pasi pëlqente dhe ngrinte lart përkorjen e Rusoit, të cilën e personifikonte me virtytin. Ky theksim i jetës morale e të virtytshme shfaqet si një konstante e përbashkët e gjithë rilindasve tanë iluministë (që nga Dora D’Istria, Tahsini e deri te Veqilharxhi, Samiu apo Jani Vreto), një fill lidhës ky edhe me humanistët e shekujve të mëparshëm, që i vinin mjaft rëndësi jetës së përkorë e pa vese.

BURIMI: www.arsalbanica.mk