Njëra nga skuadrat më me traditë në futbolin kosovar, Vëllaznimi i Gjakovës vazhdon të mbetet në një situatë aspak të mirë financiare dhe organizative.

Ish-kapiteni legjendar i Kombëtares së Shqipërisë, Besnik Hasi, ka komentuar gjendjen e klubit të zemrës, Vëllaznimit.

Aktualisht kuqezinjtë janë në pozitë të mjerueshme, ku ndodhen në vendin e fundit në Ligën e Parë.

Duke folur për Radio Gjakovën, Hasi u shpreh se është interes i futbollit vendor që t’i ketë në elitë klubet e mëdha.

“Gjendja aktuale e Vëllaznimit është katastrofale. Një klub me traditë kaq të madhe në Kosovë, që ka dhënë aq shumë për futbollin e Kosovës të mbetet në këtë pozitë është e papranueshme”, deklaroi Hasi.

“I gjithë qyteti i Gjakovës duhet ta ndihmojë Vëllaznimin. Edhe FFK duhet ta ndihmojë, sepse është në interesin e Federatës që Vëllaznimi të jetë i fortë dhe në Superligë, pasi që vazhdimisht i jep shumë futbollit vendor”.

“Superliga nuk ka lezet pa katër klubet e mëdha, e ku aktualisht mungojnë Vëllaznimi, Liria dhe Trepca. Klubet me traditë s’duhet të lejohen të binë poshtë. Kështu ndodhë në disa vende të botës, pasi që është interes i ligës të ketë në elitë klubet e mëdha”, shtoi ai.