Hazardi synon kthimin në ndeshjen kundër Villarrealit

Një lëndim në kofshën e këmbës së djathtë e ka lënë Eden Hazardin ende në pritje të debutimit me Real Madridin në La Liga. Megjithatë, belgu mund ta bëjë debutimin e tij të dielën, në ndeshjen kundër Villarrealit.

Marketing

Eden Hazardi kishte deklaruar disa herë në të kaluarën se e
ka ëndërr të luajë për Real Madridin në La Liga. Ai kishte shpresuar se ëndrra
do t’i bëhej realitet më shpejt sesa që po i bëhet, pas transferimit nga
Chelsea këtë verë, transmeton Gazeta Express.

Mirëpo, Marca tani raporton se sulmues belg është duke e
shtyrë veten për t’u kthyer në kohë për përballjen e Real Madridit me
Villarrealin, në “Estadio de la Ceramica”, vetëm dy javë pasi e pësoi lëndimin.

Në anën tjetër, stafi mjekësor i Real Madridit ka vendosur të
tregohet i durueshëm dhe të presë sado që të ketë nevojë në mënyrë që Hazardi të
jetë 100 për qind i rikuperuar para se të kthehet në fushën e blertë.

Ndërkohë, në ekipin kombëtar të Belgjikës, stafi teknik janë
optimistë se do ta kenë yllin e skuadrës së tyre në dispozicion për ndeshjet
kundër San Marinos dhe Skocisë më 6 dhe 9 shtator.

“Unë ndihem optimist për të sepse ai dëshiron gjithmonë të
luaj”, u shpreh trajneri i Belgjikës, Roberto Martinez, në një intervistë të dhënë
për Niewusblad.

“Ai në përgjithësi rikuperohet mirë dhe shpejt nga lëndimet.
Nëse ai luan kundër Villarrealit atëherë do të llogarisim në të”.

Martinez pritet ta publikojë listën e lojtarëve të ftuar për
dy ndeshjet e radhës të Belgjikës të premten. 

Marketing