Hetimi i Prokurorisë për Gruevskin: Në shtator i tërhoqi 120.000 euro, bankat e njoftuan Prokurorinë Speciale

Prokuroria Themelore Publike e Maqedonisë ka dalë me informata rreth hetimit të arratisjes së ish kryeministrit të dënuar Nikolla Gruevski. Sipas hetimit të deritanishëm, asnjë person apo institucion nuk është përgjegjës arratisjen e Gruevskit, njofton Portalb.mk.

Marketing

Fakt interesant nga hetimi është që Gruevski në shtator të vitit 2018, pak para se të arratiset i ka zbrazur kontot e tij bankare, gjegjësisht ka tërhequr rreth 120.000 euro. Bankat i kanë njoftuar Prokurorinë Speciale dhe Drejtorinë për Kundërzbulim Financiar se Gruevski i ka zbrazur llogaritë e tij, por të dy institucionet nuk alarmuan për këtë çështje.

Portalb.mk, ua sjellë të plotë njoftimin e Prokurorisë:

Prokurori publik menjëherë pas ngjarjes ka hapur lëndë “me të dëgjuar” me qëllim që të konstatohet nëse eventualisht ekziston përgjegjësi penale, gjegjësisht nëse i ka ndihmuar dikush për të ikur.

Prokuroria për shkak të sigurimit të dëshmive dhe konstatimit të fakteve në lëndë, ka dhënë urdhër që të merren incizimet nga kamerat e sigurisë nga Safe Sity Sistemi i Shkupit, prej shumë hoteleve dhe objekteve tjera, nga rruga drejt Shpile dhe Dibër, nga Aeroporti i Shkupit, por edhe nga të gjitha pikat kufitare drejt Shqipërisë. Pastaj, nga tre hotelet në Shkup, Prokuroria ka marrë përgjigje se nuk janë në mundësi që t’i ekstraktojnë video-incizimet, pas së cilës prokurori publik ka dhënë urdhër për marrjen e pajisjeve dhe ekspertizën e të njëjtave. Video materiali i mbledhur është me madhësi rreth 10 terabajt dhe është dorëzuar për analiza në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Për këtë urdhër ende po veprohet.

Nga Interpoli, nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme, është dorëzuar informatë me të cilën thuhet se nuk ekzistojnë informata për dalje të Gruevskit nga asnjë pikë kufitare nga Republika e Maqedonisë në periudhën kritike. Njëkohësisht, nga ekspertiza e kryer nga Sistemi i Integruar për Kontroll Kufitar në asnjë pikë kufitare nuk është evidentuar dalja e Gruevskit nga Republika e Maqedonisë, transmeton Portalb.mk.

Nëpërmjet ndihmës juridike ndërkombëtare, Prokuroria më 19.11.2018 ka dorëzuar kërkesë deri te institucionet kompetente në Shqipëri dhe Mal të Zi për sigurimin e kamerave të sigurisë nga pikat kufitare, por edhe nga kamerat me të cilat mbulohet rrethi i Ambasadës së Republikës së Hungarisë në Tiranë. Pas kërkesës, autoritetet malazeze kanë vepruar menjëherë dhe më 21.12.2018 ekipet e Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion personalisht e kanë marrë materialin e incizuar në Podgoricë. Organet kompetente të Shqipërisë, pas dy urgjencave, më 09.01.2019 e kanë njoftuar Prokurorinë e Maqedonisë së video-materiali është i madh dhe se nuk posedojnë pajisje për transferimin e të njëjtit. Ekipet e Prokurorisë me hard-disqe janë drejtuar në Shqipëri që ta marrin materialin e kërkuar, por pastaj janë njoftuar gojarisht se materiali nuk është ruajtur, gjegjësisht se kohëzgjatja e ruajtjes së materialit të incizuar dallon në pikat e ndryshme kufitare dhe se ajo zgjat rreth një muaj nga data e fundit e kërkuar.

Në lëndë janë dhënë 16 urdhra për listime të gjithsej 60 numra telefonik të personave të cilët janë të lidhur ose për të cilët ekziston dyshimi se kanë komunikuar me të dënuarin në periudhën kritike. Listimet janë siguruar nga faktet e konstatuara fillestare, të cilat janë lëndë e procedimit dhe analizave.

Prokurori kompetent, duke ndërmarrë masa në këtë lëndë, ka dëgjuar gjithsej 56 persona, prej të cilëve 28 zyrtarë policor nga pikat kufitare, gjashtë anëtarë të sigurimit të Gruevskit, pesë zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe 17 persona tjerë.

Në drejtim të konstatimit të lëshimeve eventuale në veprimin e personave zyrtarë, obligim i të cilëve ka qenë që ta sigurojnë të dënuarin Gruevski, Prokuroria disa herë ka kërkuar nga shërbimet kompetente që t’i dorëzohen informata dhe të dhëna për mënyrën dhe masat e ndërmarra të sigurimit. Gjithashtu, deri te institucionet kompetente, prokurori ka dorëzuar kërkesë për të dhëna në drejtim nëse kanë pasur njohur se Gruevski po përgatitet për arratisje. Nga të gjitha institucionet është arritur përgjigje se nuk kanë pasur njohuri as informata për plane të tilla të Gruevskit.

Prokuroria Publike për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsion, gjatë procedurës së deritanishme ka konstatuar se në shtator të vitit 2018, në të njëjtën datë në tre banka të ndryshme, tanimë i dënuari Gruevski i ka tërhequr rreth 120.000 euro nga llogaritë e tij, për çka bankat kanë paraqitur deri te Drejtoria për Kundërzbulim Financiar dhe deri te Prokuroria Speciale Publike.

Deri në këtë moment nuk është konstatuar ekzistim i përgjegjësisë penale të personave zyrtarë të cilët i kanë ndihmuar ose kanë marrë pjesë në organizimin e arratisjes së Gruevskit. Deri më tani, provat e mbledhura çojnë në konkluzën se ka pasur lëshime të caktuara te institucionet kompetente, të cilët nuk paraqesin vepër penale dhe nuk janë në kompetencë të Prokurorisë Publike.

LEXO: S’do ta dimë se si ka ikur Gruevski, sistemi i Shqipërisë i ka fshirë automatikisht incizimet e arratisjes
Gruevski më 20 nëntor të vitit 2018 nëpërmjet një letre të gjatë shpjegoi se si ka arritur të fitojë azil nga autoritetet hungareze. Më 13 nëntor, Gruevski u paraqit në rrjetin social Fejsbuk se e ka lëshuar Maqedoninë për shkak të kërcënimeve dhe ka kërkuar azil politik në Hungari. Njoftimi i Gruevskit erdhi pasi që MPB-ja lëshoi fletë-arrest. Shkuarja e Gruevskit në Budapest ka ardhur pas njoftimit të Gjykatës në Maqedoni që i njëjti të paraqitet në Burgun e Shuto Orizares për ta vuajtur dënimin me burg prej dy vjetësh në rastin “Tank” të prokurorisë Speciale Publike për furnizimin e mercedesit e vlerë pre rreth 600.000 euro. Gruevski, edhe pse s’ka pasur pasaportë ai në Hungari ka arritur nga Shqipëria, ku me ndihmën e diplomatëve hungarez ka kaluar në Mal të Zi, Serbi dhe në fund në shtetin me të cilin udhëheq konservatori dhe miku i tij, Viktor Orban. Sipas hetimit të deritanishëm nga Prokuroria, Gruevski e ka lëshuar Maqedoninë në mënyrë ilegale.

Marketing