Hetimi vërtetoi se Gruevski ka hyrë në mënyrë ilegale në Shqipëri

Nikolla Gruevski nuk është arratisur nga Maqedonia nëpërmjet vendkalimeve zyrtare kufitare. Ky është një segment nga hetimet e Prokurorisë Themelore, sipas burimeve të portalit Sdk.mk

Marketing

Prokuroria ka kontrolluar inçizimet e kamerave të sigurisë dhe ka marrë në pyetje policinë kufitare, dhe është konstatuar se në asnjë prej vendkalimeve kufitare të Maqedonisë, nuk ka shkelur këmba e Nikolla Gruevskit. Gruevski nuk ka kaluar as nga Qafë Thana, as nga Shën Naumi, që janë pika kufitare me Shqipërinë, të vendosura në afërsi të Ohrit dhe Strugës.

Nuk është regjistruar të ketë kaluar as nga Stenja, që është pika kufitare me Shqipërin në Manastir, por as në pikën kufitare Bllatë në Dibër. Supozohet se Gruevski ka arritur në territorin e Shqipërisë nëpërmjet vendkalimeve ilegale kufitare, që shpesh, edhe banorët vendorë, i shfrytëzojnë për të dalë në qytetet fqinje, nga të cilat i ndanë vetëm kufiri. Kështu që Prokuroria ka ardhur në përfundim se nuk ka asnjë lëshim tek zyrtarët policorë të këtyre pikave kufitare.

Nga inçizimet e kamerave të sigurisë në kufinjtë e Shqipërisë dhe Malit të Zi, Prokuroria për krim të organizuar ka parë vetëm se si makina diplomatike e Hungarisë, ka kaluar prej Shqipërisë në Malin e Zi, e pastaj në Serbi, prej ku pastaj ka arritur në destinacionin e tij të fundit që ishte Hungaria dhe siguroi azil politik për vetëm disa ditë.

Marketing