Familja Rexha nga Ferizaj tashmë janë ngujuar. Krejt kjo për arsyen se djali i vogël i tyre Sh.R 17 vjeçar, të mërkurën ka dyshime të forta se ka kryer një vrasje, raporton T7.

Në shtëpinë e të dyshuarit, vetëm dy gra po qëndronin në shtëpi.

Po thuaj se e njëjta gjendje ishte edhe në familjen Aliu.

Madje në banesën e tyre nuk ishte asnjë njeri, të gjithë kishin shkuar Polluzhës të Drenicës për t’i dhënë lamtumirën e fundit Mentorit i cili u vra një ditë më parë.

Kjo vrasje, sipas burimeve të T7, ka ndodhur për arsye të hakmarrjes.

17 vjecarit Sh.R  i ishte vrarë një vëlla në qendër të qytetit të Ferizajt,  pikërisht nga vëllai i Mentor Aliut, Meritoni.

Historia e dy familjeve kishte filluar qysh në vitin 2016 ku dy të rinj hyn në një konflikt.

Burime të T7 kanë bërë të ditur se dy familjet tashmë ishin në hasmëri.

Familja Rexha, u kishte dhënë besë familjes Aliu deri më 31 dhjetor të 2018.

E më pas kjo traditë që rrjedh  nga e drejta zakonore nuk i është vazhduar Aliajve.

Kështu edhe historia e dy familjeve përfundoi në hakmarrje.

Mentor Aliu  që u vra kishte punuar një kohë si kondukter, por shkaku i ndërprerjes së Besës, kishte ndërprerë punën.

T7 ka siguruar edhe aktgjykimin e vrasjes të ndodhur saktësisht dy vjet më herët.

Në këtë dokument thuhet se Meriton Aliu kishte vrarë Samir Rexhën më 18 gusht të 2016-ës.

Dënimin që ka shqyrtuar Gjykata e Ferizajt, Departamenti i krimeve të rënda është 15 vite burgim për Aliun.

Por, Aliu nuk dënohet vetëm për këtë vepër penale, ai dënohet edhe për veprën penale mbajtje e armës se paautorizuar.

Gjatë ditës Gjykata Themelorë e Ferizajt ka njoftuar se për të të pandehurin Sh. R 17 vjeçar i mitur është shqiptuar masa e paraburgimit për 30 ditë.