Historia që konfronton Ballkanin

Marrëveshja midis Maqedonisë dhe Greqisë për zgjidhjen e kontestit të emrit, por edhe me Bullgarinë për fqinjësi të mirë, parasheh edhe formimin e komiteteve të përbashkëta. Qëllimi i këtyre komiteteve është që të hartohen libra shkollor “modern”, nga të cilët do të mënjanohen të gjitha çështjet të cilët shkaktojnë irredentizëm dhe mungesë tolerance. Por sa është kjo e realizueshme?

Marketing

Studiuesi Nijazi Muhamedi në një prononcim për gazetën KOHA, thotë se Marrëveshja e Prespës, kështu si ka marrë zgjidhje përtej zgjidhjes së dallimit të një emri, është një agresion greko-maqedonas mbi identitetin panshqiptar, dhe këtu hynë dhe historia, trashëgimia historike dhe kujtesa historike që e vektorizon ndër breza një identitet kombëtar.

“Ky Komision greko-maqedonas në tekstet maqedonase do fshijë me ‘marrëveshje’ vetëm tezat fantome të historiografisë maqedonase, pra të Enciklopedisë së Bllazhe Ristoskit vetëm pjesët e Maqedonisë antike, kurse do t’i legjitimojë si të drejta pjesët e Enciklopedisë që falsifikojnë historinë e tyre në raport me shqiptarët. Dhe, kjo fshirje e historisë shqiptare dhe kjo mbivendosje e historisë sllavo-greke kanë qenë përpjekje të kamotshme, por tash nuk mbeten vetëm në rrafsh akademik, por projektohen edhe në rrafsh të funksionalizimit të tyre si ‘argumente’ që legjitimojnë projekte dhe pretendime shtetërore në tokën shqiptare. Kjo marrëveshje, prandaj, kur jemi veçmas te historia, godet pikërisht legjitimitetin e autoktonisë së popullit shqiptar në Ballkan”, thotë Muhamedi.

Ai thekson se në të gjithë këtë katrahurë – shqiptarët bëjnë sehir dhe duartrokasim duke shikuar falsifikatorët që tashmë e kanë kryer punën e tyre para Marrëveshjes së Prespës dhe si e kërkon tash marrëveshja, dhe ato pjesë tashmë moti, që nga Marrëveshja e Ohrit, kanë hyrë në diskursin e historiografisë zyrtare e publike.

“Shkollës me mësim në gjuhën shqipe i ka ndodhur Enciklopedia maqedonase në mënyrën më skandaloze dhe më të turpshme, kurse Marrëveshja e Prespës do ta bëjë të pandryshueshëm këtë turp e këtë skandal. Konkretisht, që të mos e zgjasim: nëse në Abetaren ‘shqipe’ përmendet, bie fjala,te gërma Ç – Çamëria, pala maqedonase në frymën e Marrëveshjes së Prespës do ketë të drejtë ta heq Abetaren shqipe nga përdorimi, ndërsa në botimin e ri ta heq fjalën Çamëria. Kjo ndodhi vite më parë edhe në Preshevë, kur me lejen e ambasadorit shqiptar në Beograd, njëfarë Çaushi, u hoq nga përdorimi Abetarja shqipe, në të cilën tek germa F, thuhej Flamuri, dhe në botimin e ri të saj, abetaren e botuan gabimisht bile edhe pa flamurin, por edhe pa germën F”, thekson Muhamedi.

Ndërkaq, Sevdail Demiri nga Instituti i Trashëgimisë Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, thotë sa u përket çështjeve të hapura të kësaj natyre, është shumë e rëndësishme për një shtet që të njëjtat edhe t’i mbyllë. “Është shumë e rëndësishme për një shtet që të mos ketë çështje të hapura me fqinjët. Maqedonia në këtë aspekt ka bërë hapa pozitiv kohën e fundit, veçanërisht në përpjekjet për mbylljen e kontestit për emrin me Greqinë. Por, duke qenë një shtet ballkanik, ku nëpër histori janë ndërthurur shumë fuqi dhe interesa të ndryshme, Maqedonia edhe aktualisht ka derivate krizash e problemesh ndërfqinjësore. Çështja e Bullgarinë rreth identitetit etnik e gjuhësor, pa dyshim se duhet tejkaluar, dhe në këtë drejtim janë duke punuar komisionet adekuate. Edhe me Serbinë ka çështje të hapura që lidhen me çështjen e kishës. Ndërsa, me Shqipërinë dhe Kosovën, edhe pse nuk problematizohen çështjet, gjithmonë për hir të proceseve eurointegruese, realisht ka nevojë për bisedime serioze. Në këtë drejtim duhet parë mënyrën e trajtimit të çështjes shqiptare nëpër tekstet e historisë, apo edhe hapat e implementimit të projekteve të përbashkëta mes shteteve”, deklaroi Demiri.

Për mua, shprehet më tej ai, është shumë indikative zvarritja e pakuptimtë për hapjen e kufijve mes Maqedonisë dhe Kosovës (Bellanoc-Stançiq), ndërtimi i autostradës Bllacë-Hani i Elezit, apo edhe funksionalizimi i Rrugës së Arbrit me Shqipërinë. “Të gjitha këto zvarritje nuk janë të paqëllimshme, dhe këtu veçanërisht duhet këmbëngulësia e partnerit shqiptar në Qeveri”, nënvizon Demiri. Nga ana tjetër, historiani Arben Llalla thotë se shqiptarët për fajin e përfaqësuesve të tyre nëpër institucionet, gjenden në mjerim, ndërsa ndjehen qytetarë të dorës së fundit.

“Ende s’ka asnjë lajm për Enciklopedinë që na ofendonte. Ka shqiptarë që kanë nënshkruar për një rrogë tekstet ofenduese ndaj kombit shqiptar. Për fat të keq, dëmi që është bërë këto 10 vitet e fundit nuk mund të korrigjohet as për 30 vite, dhe faji bie vetëm mbi heshtjen e intelektualëve dhe klasës udhëheqëse politike. Por, sllavo-maqedonasit do të vazhdojnë të botojnë me ndihmën edhe të vasalëve shqiptarë tekste që ofendojnë kombin tonë.”, thotë Llalla.

Përndryshe, Marrëveshja për fqinjësi të mirë midis Maqedonisë dhe Bullgarisë parasheh korrigjimet e teksteve shkollore ku ka pretendime të sllavo-maqedonasve ndaj Bullgarisë si të fushës së historisë, kulturës, trashëgimisë dhe të figurave kombëtare bullgare që janë pretenduar nga maqedonasit. (koha.mk)

Marketing