Hoferer, të dielën zgjedhje sipas standardeve evropiane

Zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit duhet të jenë të lira dhe të zhvillohen sipas të gjitha standardeve demokratike. Kështu thotë për Radio Kosova kryetari i “Paneuropa-Jugend Bayern” njëherësh nënkryetar i së njëjtës organizatë për Gjermani, Christian Hoferer. Pas zgjedhjeve duhet të krijohet një qeveri stabile e cila do të koncentrohej në luftimin e korrupsionit dhe tejkalimin e shumë sfidave. Për sa i përket taksës, Hoferer thotë se ajo duhet të hiqet nga qeveria e re.

Marketing

“Menjëherë pas zgjedhjeve duhet të formohet qeveria e re, sa më shpejt që të jetë e mundur dhe që mundësisht të krijohet një qeveri shumë stabile“, thekson Hoferer, teksa thekson se zgjedhjet parlamentare të dielën duhet të mbahen të lira dhe sipas të gjitha standardeve demokratike: “Nuk guxon të ketë blerje të votës, shantazhe, apo manipulim të votës gjatë procesit të numërimit. Gjithashtu, që diasporës kosovare t’i mundësohet vota e lirë. Institucionet, ndërkaq, duhet të kujdesën që vota e dhënë të jetë e sigurt“. Horere ka bërë thirrje që qytetarët të dalin në zgjedhje, sepse “bëhet fjalë për Republikën e Kosovës dhe për një të ardhme të mirë dhe stabile të vendit“. Ai thotë se e do Kosovën ku njerëzit janë shumë miqësorë dhe mikpritës dhe ku rinia është shumë e motivuar. “Kjo rini, në mënyrë të veçantë e meriton një perspektivë dhe të ardhme të mirë“, thekson ai.

Hoferer thekson se sfidat që e presin qeverinë e re pas zgjedhjeve janë “dialogu me Serbinë, sqarimi i statusit të Kosovës në OKB, procesi i liberalizimit të vizave, anëtarësimit të Kosovës në Interpol, etj“. Sipas Hoferer “është me shumë rëndësi që të gjitha këto procese të zhvillohen dhe të shtyhen përpara në bashkëpunim dhe mbështetje të ngushtë me partnerët evropianë.“

Pas zgjedhjeve ai thotë se është me shumë rëndësi “që qeveria e re e Kosovës të koncentrohet në këtë tri pikërëndesa: Luftimi i korrupsionit është me rëndësi jetike dhe kjo duhet të bëhet me seriozitet dhe jo me fjalë. Së dyti: duhet të forcohet akoma më shumë pjesëmarrja e gruas në shoqërinë kosovare dhe kjo jo vetëm në pozicione udhëheqëse në institucione, por edhe në familje dhe e treta: ndërtimi i një sistemi social, me theks të veçantë rregullimi me ligj i sigurimeve shëndetësore për të gjithë qytetarët e Kosovës. Kjo mund të bëhet me ngritjen e një fondi për sigurime pasi në vend ekzistojnë kapacitete financiare për t’u bërë kjo“, thekson ai.

Hoferer shprehet edhe për heqjen e taksës: “Taksa në fillim është treguar e drejtë dhe ka dhënë rezultate e saj. Ndërkaq, tani, ka ardhur koha që taksa të largohet, sepse taksa ka bllokuar dialogun, i cili ndërmjetësohet nga Bashkësia Ndërkombëtare. Gjithashtu, është dëshmuar se taksa në një periudhë të gjatë stimulon tregtinë ilegale dhe kontrabandën përmes kufirit.“

Ndërkaq, lidhur me idenë për këmbimin e territoreve, e cila ka qarkulluar për një kohë dhe vazhdon të mbetet aktuale, Hofere është kundër:

“Jam në mënyrë kategorike kundër këmbimit të territoreve me Serbinë ashtu siç është diskutuar në mënyrë të përsëritur gjatë dy viteve të kaluara. Integriteti territorial i shteteve të Ballkanit Perëndimor është i etabluar dhe i paprekshëm. Ideja e shteteve monoetnike është e tejkaluar dhe në të kaluarën ka qenë shkak i shumë luftërave. Ndryshimi i kufijve në Ballkan do të hapte „Kutinë e Padorës“ për vendet e tjera në Evropën Juglindore. Këtu mendoj në Bosnjë e Hercegovinën dhe Maqedoninë. Natyrisht, Serbia duhet t’ua njohë dhe respektojë të gjitha të drejtat e minoriteteve për shqiptarët në Luginën e Preshevës“.

Marketing