Hoti merr “mbështetje të fuqishme nga Gjermania dhe Franca”

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë të hënën se ka pranuar një urim nga kancelarja gjermane, Angela Merkel e cila është thënë të ketë shprehur gatishmëri për bashkëpunim me Kosovën.

Marketing

Në një komunikatë të kryeministrisë është thënë se në telegramin e kancelares Merkel është theksuar se “Qeveria federale mbetet e gatshme ta ndihmojë Kosovën në rrugën e saj dhe të punojë për t’i kuptuar vendet e Ballkanit Perëndimor”.

“Ju dhe Qeveria juaj keni sfida të mëdha përpara, veçanërisht përballja me pandeminë COVID-19, reformat kushtetuese dhe dialogu me Serbinë për normalizim, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian”, është thënë mes tjerash në telegramin e kancelares gjermane.

Përveç kësaj, Hoti ka thënë të ketë biseduar në po këtë ditë edhe me Emmanuel Bonne, këshilltarin diplomatik të presidentit francez, Emmanueal Macron, në të cilën është diskutuar gatishmëria e Francës “për ta ndihmuar Kosovën në rrugën e integrimeve eurotlantike”.

Sot mora mbështetje të fuqishme nga Gjermania dhe Franca!Jam shumë i lumtur të ndaj me ju urimin që mora nga…

Publiée par Avdullah Hoti sur Lundi 8 juin 2020

Hoti është zgjedhur kryeministër i ri i Kosovës në seancën e 3 qershorit të Kuvendit të Kosovës, me 61 vota për, 24 kundër dhe një abstenim.

Qeveria e re e Kosovës është votuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, përmes së cilit, i ka dhënë të drejtë presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi në mandatimin e Hotit për formim të qeverisë së re.

Lëvizja Vetëvendosje, partia që ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet e 6 tetorit, nuk është pajtuar as kur Thaçi ka marrë vendim për mandatarin, dhe e ka dërguar të njëjtin në Kushtetuese dhe as pas aktgjykimit të kësaj të fundit, rreth kushtetutshmërisë së vendimit të presidentit të Kosovës.

Qeveria e ish-kryeministrit Albin Kurti është rrëzuar përmes një mocioni të mosbesimit më 25 mars, të organizuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Në mesin e arsyeve për mocion, kjo parti kishte përmendur dëmtimin e lidhjeve të Kosovës dhe Shtetet e Bashkuara dhe shkarkimin e Agim Veliut nga pozita e ministrit të Brendshëm.

Marketing