Hoxha: Do të formohet Komision për brendet tregtare

Me ndryshimin e emrit të shtetit, do të ndërrohen edhe emrat e brendeve të produkteve të Maqedonisë së Veriut. Në vizitën e djeshme të kryeministrit grek Aleksis Cipras, në vizitë ishin edhe 150 kompani greke të sektorëve të ndryshme.

Marketing

I pari i qeverisë greke në forumin ekonomik përpara biznesmenëve foli për rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve, por nuk la pa përmendur edhe markën tregtare për të cilën tha se duhet të gjendet model sipas standardeve evropiane.

“Flas për një komitet i cili do të angazhohet të gjejë zgjidhje në bazë të rregullave të BE-së në lidhje me brendet, këtë e them për shkak se gjatë muajve të kaluar gjatë ndërtimit të respektit të ndërsjellë, ne po ashtu jemi marrë edhe me fenomenin e lajmeve të rrejshme”, u shpreh Kryeministri i Greqisë, Aleksis Cipras.

Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-perëndimore, Nebi Hoxha shprehet se vet Marrëveshja e Prespës parasheh një proces i cili do të ndikon në ndryshimin e brendeve të produkteve të cilat janë nga Maqedonia e Veriut, por sipas duhet të formohet një komision për markat tregtare.

“Gjithsesi duhet të formohet një komision për markat tregtare dhe ky komision do të merret me detektimin e produkteve të cilat janë pjesë e ndryshimit apo ribrendimit të tyre gjegjësisht do të ketë një komision nga të dy vendet, Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut që do të jenë pjesë e këtij komisioni”, deklaroi Nebi Hoxha, Kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë veri-perëndimore.

Hoxha nënvizoi se Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-perëndimore është e gatshme që të ndihmon qeverinë, që këto ndryshime të përcillen edhe tek anëtarët e Odës Ekonomike.